Kurti -QUINT-it: Normalizimi i raporteve me Serbinë të mos përzihet me KiE-në

(Lajm i përditësuar)


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, takoi sot ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në takim u diskutua mbi zhvillimet aktuale dhe rreth procesit të anëtarësimit në Këshill të Evropës, kështu ka bërë të ditur zyra e kryeministrit përmes një komunikate për media.

“Kryeministri theksoi se deri më tani tri instanca të rëndësishme të Këshillit të Evropës (Juristët Eminentë, Raportuesja Dora Bakoyannis dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës) kanë konfirmuar se Republika e Kosovës plotëson standardet dhe kriteret për të qenë anëtare e plotë e kësaj organizate. Kushtet dhe parakushtet për anëtarësim, u vendosën në raportin e raportueses Dora Bakoyannis të cilat Republika e Kosovës i plotëson, duke përfshirë këtu edhe vendimin prej vitesh në pritje për Manastirin e Deçanit. Për më tepër, si shenjë gatishmërie dhe hap para, tre krerët shtetëror i dërguan letër të garancisë raportueses Dora Bakoyannis për adresimin e çështjeve të pas anëtarësimit të identifikuara nga Këshilli i Evropës”, thuhet në komunikatë.

Tutje Kurti citohet të ketë thënë në këtë takim se “Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me një kushtetutë të avancuar e cila ofron të drejta të garantuara dhe zgjeruara për komunitet joshumicë, dhe tejkalon standardet ndërkombëtare, e vlerësuar kështu edhe nga Juristët Eminentë të Këshillit të Evropës. Me letrën e garancisë, Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29)”.

Kurti kërkoi nga QUINT-i që normalizimi i raporteve me Serbinë të mos përzihet me KiE-në.

I pari i Qeverisë kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg, pasi që sipas tij procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimi të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon.

“Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë Kurti.

“Kryeministri theksoi se neni 7 i Marrëveshjes Bazike nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit në Ohër dhe nuk duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër. Ai kujtoi se me 26 tetor, u refuzua oferta për t’u nënshkruar Marrëveshja në pako që do t’i hapte rrugën zbatimit të plotë të Marrëveshjes, duke përfshirë nenin 7 të saj ndërlidhur me nenin 10. Në këtë drejtim, Kryeministri e ritheksoi se dokumenti i ofruar si draft statut nga Lajçak për zbatimin e nenit 7 ndërlidhur me atë 10, nuk është pranuar me 26 tetor vitin e kaluar në Bruksel”, thuhet tutje në komunikatë.

Ai i bëri thirrje shteteve aleate të Kosovës, shteteve të QUINT-it që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës më 17 maj në përputhje me vlerësimet nga vetë institucionet e Këshillit të Evropës, dhe mbi bazën e arritjeve meritore në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe qëndrimet perëndimore. Në kohën kur autokracitë në Evropë janë në rritje dhe po cenojnë çdo herë e më shumë demokracinë, sigurinë dhe paqen, arritjet demokratike të Kosovës duhet të festohen nga demokracitë perëndimore.


Ambasadorët e QUINT-it takohen me Kurtin në ndërtesën e Qeverisë

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it i këtë të hënën janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në zyrën e tij në ndërtesën e Qeverisë.

Portali rtv21.tv mëson se takimi mes ambasadorëve dhe Kurtit ka përfunduar.

Ende nuk dihet se cila ka qenë tema e takimit dhe nëse është takim i rregullt. Ndërkaq nuk ka ndonjë njoftim nga Qeveria që e konfirmon ose jep detaje.

Portali rtv21.tv do të iu mbajë të informuar./21Media

Back to top button