AME thotë se kërkesa për FSK-në në Ujman u bë të hënën, për shkak të mungesës së kapaciteteve

Shefi i Agjencisë së Emergjencave, Genc Metaj, ka thënë se kërkesën për angazhimin e FSK-së në gjetjen e trupit të personit që është hedhur në Ujman e kanë bërë për shkak se me kapacitetet aktuale nuk kanë arritur ta gjejnë trupin deri më tash.

Metaj në një deklarim për media ka thënë se kërkesa është bërë të hënën, teksa shtoi se AME ka marrë të gjitha masat me kohë.

“Agjencia e Emergjencave si koordinuese me kohë ka marrë të gjitha masat, por me kapacitetet aktuale që kemi pasur nuk kemi arrit me sukses me gjet trupin e personit të humbur dhe për këtë arsye me të gjitha veprimet ndërinstitucionale kemi kërkuar edhe angazhimin e FSK-së të cilët sot kanë ardh dhe janë duke e kryer punën”, ka thënë ai.

Ndërsa, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se policia është duke asistuar në këtë operacion.

“Ne nuk kemi me shtu diqka, policia është këtu duke asistu, udhëheqësit e vendit të ngjarjes është AME-ja tash ka ardh FSK-ja edhe shpresojmë që së paku trupin do të gjejmë edhe ti pakësohet dhimbja familjes e cila ka humbur anëtarën e tyre të familjes”, ka deklaruar ai para mediave. /21Media

Back to top button