AMMK: Pluhuri i Saharës ka rënduar cilësinë e ajrit në Kosovë

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), ka dalë me një sqarim mbi situatën e rënduar të cilësisë së ajrit.

AMMK ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme është vërejtur një situatë e rënduar e cilësisë së ajrit krahasuar me ditët e tjera.

“Gjatë ditës së djeshme (27.03.2024) është vërejtur situatë më e rënduar e cilësisë së ajrit krahasuar me ditët tjera, në mënyrë të veçantë për Grimcat e Pluhurit PM10 dhe PM2.5. Gjendje e rënduar e cilësisë së ajrit për parametrat PM10 dhe PM2.5 është regjistruar sidomos në stacionet në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë dhe Pejë”, ka shkruar AMMK në “Facebook”.

Tutje, AMMK ka njoftuar se kjo situatë ka ardhur si rezultat i kushteve meteorologjike në të cilat ndodhej vendi ynë.

“Sipas të dhënave meteorologjike të IHMK, Kosova gjatë këtyre ditëve ishte nën ndikimin e masave të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore. Pluhuri i ardhur nga Sahara në Evropë që ka përfshirë edhe Kosovën ka ndikuar në rritjen e vlerave të grimcave të pluhurit. Bartja e pluhurit dhe grimcave të vogla të rërës nga Sahara, është një fenomen që përfshinë shpesh Evropën dhe që manifestohet kryesisht me praninë e grimcave të pluhurit në ajër”, përfundon AMMK./21Media

Back to top button