“Amnesty Internacional” në raport përmend të pagjeturit e dënimet për ish-zyrtarët ushtarakë për krime lufte

Organizata ndërkombëtare “Amnesty International” në raportin vjetor 2024 për të drejtat e njeriut në Kosovë ka përmendur dënimet e reja për ish-zyrtarët ushtarakë për krime lufte, ngecjen e implementimit të marrëveshjes për të pagjeturit, dështimin e kalimit të ligjit për frytnim të asistuar në spitale publike dhe mospërparimin në Kodin Civil.

AI  ka përmendur dështimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, për shkak të “kërkesës së minutës së fundit” për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në raportin e publikuar më 29 rill AI ka përmendur dënimet e ish-pjesëtarëve të Policisë dhe forcave ushtarake serbe për krime lufte më 1998 në Prishtinë e Istog. Dushko Arsiq, Ekrem Bajroviq dhe Çaslav Joliq u dënuan me 13, 12 dhe 8 vjet burgim. Në anën tjetër, Gjykata Speciale i dënoi Pjetër Shalën me 18 vjet, ndërsa Salih Mustafës iu zbrit dënimi në 15 nga 22 vjet burgim.

Për të pagjeturit nga lufta, AI ka theksuar se marrëveshja e vitit 2023 në mes të Kosovës dhe Serbisë për bashkëpunim në lokalizimin e trupave të të zhdukurve, nuk u implementua për shkak të raporteve të tendosura mes dy shteteve.

Në dhunën seksuale të kohës së luftës, AI ka përmendur kërkesën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës për të hequr afatin kohor për aplikime për statusin e viktimës së dhunës seksuale në luftë, që përfshin pensionin 230 euro në muajsh.

Për lirinë e shprehjes, organizata ka thënë se Kuvendi ka kaluar Ligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave pavarësisht kritikave nga organizatat e shoqërisë civile në Kosovë dhe ato ndërkombëtare.

Back to top button