AMPEK i alarmuar me rënien drastike te Kosovës në renditjen e Indeksit Vjetor të Lirisë së Shtypit

Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK) ka reaguar pas publikimit të raportit të Reporterëve pa Kufij , në të cilin Kosova renditet e 99-ta nga 180 shtete sa i përket lirisë së mediave.
AMPEK e ka cilësuar këtë si alarmante.
“Nga vendi i 75 ku ishte vitin e kaluar, këtë vit Kosova renditët në vendin e 99, nga gjithsej 180 shtete për të cilat janë bërë matjet.Fakti që në mesin e 180 shteteve, Kosova ka rënien e dytë me të madhe në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2025 duhet te na shqetësojë të gjithëve. Kjo renditje duhet të merret shumë seriozisht dhe nevojitet reflektim e veprim konkret nga të gjitha institucionet përkatëse për të forcuar lirinë e mediave, mbrojtjen e gazetarëve, për te garantuar çasjen në informacion dhe për të krijuar kushte më të qëndrueshme ekonomike për funksionimin e tyre. “, thuhet në reagimin e AMPEK.
Më tej APMEK përmend edhe kritikat e raportit për miratimin Ligjit për KPM-në, të cilin e cilëson si kundërthënës që “rrezikon edhe me tej të pengoje pavarësinë” e institucionit – KPM-së.
“Vitin e kaluar, me gjithë kritikat e mëdha, Kuvendi i Kosovës e miratoi ligjin për Komisionin e Pavarur për Media. Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi ketë ligj, pasi gjeti se disa nene të ligjit nuk ishin ne përputhje me Kushtetutën e vendit.AMPEK është thellësisht i shqetësuar me këtë renditje, dhe fton të gjithë akterët relevant institucional, të industrisë mediale e shoqërisë civile për bashkëpunim, ndër të tjera, në hartimin e një ligji të ri të KPM-së, ne mënyrë që vendi të përmirësojë ne radhë te parë infrastrukturën ligjore për funksionimin e mediave dhe gazetarëve dhe rrjedhimisht edhe renditjen ne indeksin e lirisë se mediave.”, përfundon reagimi i AMPEK.
Në raportin e Reporterëve pa Kufij Kosova ka rënë 24 vende më poshtë se vitin e kaluar sa i përket lirisë së mediave./21Media/21Media
