Analistët thonë se taksa duhet të hiqet

Zëvendësimi i taksës po konsiderohet se do të ketë kosto politike

Zëvendësimi i taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake me masën e reciprocitetit nga analistët politikë po shihet si veprim më i arsyeshëm karshi politikave agresive të Serbisë. Megjithatë, sipas tyre, kjo duhet të aplikohet e jo të përdoren lojëra populiste. Zëvendësimi i taksës po konsiderohet se do të ketë kosto politike për kreun e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, për çka sipas tyre do të ketë edhe protesta nga opozita.

Njohësi i rrethanave politike, Rasim Alija tha se masa e reciprocitetit ka qenë në kuadër të programit të vet Albin Kurtit. Pavarësisht kësaj, sipas tij është shumë e rëndësishme se si do të vendoset kjo masë, porse taksa nuk duhet të largohet pa vendosjen e masës së reciprocitetit.

Sipas tij, vendosja e masës së reciprocitetit do të ketë kosto politike për kryeministrin Kurti.

Shefi i ekzekutivit kosovar masën e reciprocitetit me Serbinë e ka përmendur edhe gjatë javës, për çka sipas Albin Kurtit do të ketë edhe përkrahjen e opozitës.

Në lidhje me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rrahman Paçarizi tha se taksa duhet të hiqet, dhe reciprociteti duhet të aplikohet.

Sa i përket rifillimit së dialogut me Serbinë, Paçarizi thotë se kjo është e pamundur pa bashkëpunimin ndërmjet pozitës e opozitës.

Krahas kësaj, Rasim Alija vlerëson se kreu i Qeverisë nuk do ta ketë në prioritet çështjen e dialogut. Megjithatë, sipas tij rol kyç për një qasje tjetër për fillimin e dialogut do të jetë pas vizitës me kancelaren gjermane Angela Merkel. Kjo e fundit pas marrjes së detyrës, ka ftuar Kurtin për një vizitë në Berlin.

Back to top button