Analiza për ndarjen e subvencioneve nga komunat dhe ministritë
Ky studim u fokusua në dy ministri dhe shtatë komuna
Instituti GAP organizoi debat me përfaqësues të institucioneve publike dhe shoqërisë civile lidhur me rregullimin dhe ndarjen e subvencioneve në nivel lokal e qendror, ku u prezantua edhe draft-analiza “Ndarja e subvencioneve nga komunat dhe ministritë – baza ligjore, transparenca dhe llogaridhënia”.
Berat Thaqi, Analist i Politikave në Institutin GAP, foli rreth rëndësisë së subvencioneve si një instrument i rëndësishëm fiskal të cilat përdoren për nxitjen e aktiviteteve të dobishme në shoqëri, qofshin ato kulturore, vullnetare, biznesore, sportive, apo edukuese. Mirëpo, sipas tij në mungesë të legjislacionit adekuat, transparencës dhe llogaridhënies kjo kategori e shpenzimeve të parasë publike mund të përfundojë duke i shërbyer grupeve të ngushta të interesit, shtrembërim të proceseve demokratike, dëmtime të konkurrencës në sektorin privat duke rezultuar në ndarje jo-efikase dhe të padrejtë të parasë publike.
Ndërsa, hulumtuesja në Institutin GAP, Nora Jusufi theksoi se baza ligjore mbi ndarjen e subvencioneve në nivel lokal dhe qendror nuk është komplete dhe mirë e koordinuar. Në draft analizën e Institutit GAP janë shqyrtuar rregulloret e brendshme të shtatë komunave dhe dy ministrive, ndarja e subvencioneve sipas fushës dhe mënyra e raportimit nga ana e institucioneve dhe përfituesve.
Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm, theksoi se gjetjet kryesore për këtë fushë të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2016 lidhen me mungesën e politikave të shkruara për menaxhimin e subvencioneve, monitorimin jo-efikas të mënyrës së shfrytëzimit të tyre, vonesat në implementimin e procedurave përkatëse, pagesat e dyfishta dhe drejtimi i subvencioneve për shpenzime operative e jo kapitale tek disa institucione siç janë ndërmarrjet publike. Osmani shtoi se tri çështje kryesore për të ardhmen janë fuqizimi i transparencës, qartësimi dhe riformulimi i procedurave për ndarjen e subvencioneve, si dhe krijimi i rregulloreve të veçanta sipas fushave të subvencionuara.
Ndërsa, Salvador Elmazi, Drejtor i Departamentit të Buxhetit në Ministrinë e Financave, theksoi se defektet e evidentuara në raportin e Institutit GAP janë si pasojë e mungesës së një rregullore nacionale. Ndër tjerash, Elmazi përmendi dallimet ekzistuese në rregulloret komunale dhe mos rregullimin dhe përcaktimin e qartë të aktiviteteve që subvencionohen. Ai po ashtu u zotua që në muajt në vijim do të fusë në agjendë si prioritet krijimin e një rregulloreje nacionale gjithëpërfshirëse që do të ndihmojë institucionet në ndarjen e subvencioneve. Specifikisht, kjo rregullore, sipas Elmazit, do të ketë kritere bazë në lidhje me transparencën, kufirin maksimal dhe qartësimin e terminologjisë në këtë fushë.
Përfaqësues të shoqërisë civile theksuan nevojën për planifikim më të mirë financiar për ndarjen e subvencioneve që bazohet në analiza kredibile nga të dhënat në terren. Po ashtu përfaqësues të institucioneve publike në nivel lokal u pajtuan që rregulloret për subvencione edhe pse të miratuara kanë për nevojë për ndryshim dhe plotësim marrë parasysh volumin e rritur të kërkesave për subvencione.