Anëtarët e Listës Serbe dorëhiqen nga komisionet komunale zgjedhore në veri

Anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore (KKZ) në veri nga Lista Serbe kanë dhënë dorëheqje të hënën.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Komisioni Qendror i Kosovës ka thënë se ky institucion i ka funksionalizuar komisionet komunale të zgjedhjeve (KKZ) në veri në mbledhjet e kaluara, duke i caktuar katër zyrtarë ekzekutivë.

“Mund t’ua konfirmoj se kemi pranuar dorëheqjet nga katër anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, të cilët janë emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të subjektit politik Lista Serbe. Në mbledhjet e kaluara, KQZ ka funksionalizuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, duke caktuar 4 Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së si dhe ka marrë vendim për emrimin e 27 anëtarëve, të cilë përfaqësojnë subjektet politike parlamentare”, ka thënë Elezi.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ-ja administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së.

Zyrtarët e Listës Serbe ishin emëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 18 mars të këtij viti, e më 21 prill do të votohet për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe në Zveçan.

Por, Lista Serbe si subjekti më i madh i serbëve në Kosovë ka thënë të dielën se s’do të marrë pjesë në votim./21Media 

Back to top button