Apolloni: Pas nderimit të Kurtit dhe Osmanit s’mund të themi se UP-ja është neutrale

Nga Ag Apolloni

Gjumi i arsyes prodhon përbindësha

Dy krerët e shtetit u lumnuen si “Alumni nderi”. A ka pengesë ligjore? Jo. Po çfarë, atëherë? Ka pengesa dhe rreziqe të tjera që shpesh njerëzit e ligjeve të shkruara, s’i kuptojnë. (Sofokliu këtë përplasje mes ligjeve të shkruara dhe atyre të pashkruara, e ka trajtuar para 2500 vjetësh në një tragjedi të tij). Prandaj, edhe pse s’ka asnjë pengesë ligjore që krerëve të shtetit t’u jepen tituj nga Universiteti i Prishtinës, ka pengesa të tjera, etike, që s’e miratojnë një veprim të tillë, sepse, duke i nderuar krerët e shtetit sa janë në pushtet, institucioni e rrezikon neutralitetin e vet.

Pas këtij nderimi, s’mund të themi se UP-ja është neutrale, as të shpresojmë se profesorët e saj mund të jenë një lloj opozite intelektuale. Duke i nderuar politikanët në pushtet, UP-ja na i ofron ata si modele që duhet t’i ndjekim, jo t’i kritikojmë. Pra, më 7 tetor 2025, profesorëve u mbyllet goja zyrtarisht për t’i kritikuar “shembujt e vet më të mirë”.

A e shkeli ligjin rektori? Jo. A e dëmtoi institucionin? Po.

A u lejohet krerëve të shtetit ta pranojnë këtë nder? Po. A bën mirë që e pranuan? Jo. Pse? Sepse, duke e pranuar, ata treguan që interesat personale i vendosin mbi interesat institucionale e nacionale. Nderimi i tyre (sa janë në pushtet) është dëmtim i institucionit. Po të ishin bash të mirë, do të thoshin: ky nderim duket si nënshtrim, kurse ne ju duam në këmbë, jo në gjunjë e përtokë. Kështu, do ta lartësonin veten dhe do ta mbronin dinjitetin e universitetit publik. (Për shembull, Barack Obama, sa ishte president, nuk pranonte tituj “honoris causa” nga universitetet amerikane, pasi e konsideronte etikisht të papërshtatshme që një president në detyrë të pranojë nderime institucionale).

Por, zonja Alumna dhe zoti Alumnus, gabuan që pranuan të nderohen si “alumni nderi”, edhe për dy arsye të tjera (pa hyrë te vlerat që prezantojnë, ose jo):

  1. vetë sintagma “alumni nderi” është shartim i keq, një kalk nga “honorary alumni”, që i duhet ndonjë dekadë për të zënë vend në gjuhën shqipe. Ose e thua “I diplomuar nderi”, ose “Alumnus honoris causa” (Albinit), apo “Alumna honoris causa” (Vjosës), ose “Alumni honoris causa” (kur u drejtohemi të dyvve përnjëherë);
  2. “alumni nderi” (honorary alumni) i jepet dikujt që nuk ka kryer studimet në atë universitet, por që ka kontribuar për të financiarisht, ose në një formë tjetër. Pra, ne që kemi diplomuar në UP, jemi thjesht “alumni”, kurse ata që s’kanë qenë pjesë e UP-së (as studentë, as profesorë) mund të nderohen si “alumni nderi”, nëse kanë bërë diçka me të cilën vërtet e kanë nderuar universitetin nderues. Pra, ky është rregull, të cilin e shkelën ata që e dhanë çmimin dhe ata “të lumnuemit” që e morën”. Në faqet e shumë universiteteve të botës, te kriteret për ta marrë këtë titull, fjalia e parë është: “nuk vijnë në konsideratë ata që kanë kryer studimet në këtë universitet”.

Prandaj, nderimi me “alumni nderi” dy personaliteteve politike që kanë kryer studimet në Universitetin e Prishtinës, nuk është kurrfarë nderimi. Është thjesht një blof, një mashtrim ceremonial.

Nga kalimi shpejt e shpejt nëpër portale, e pashë se kishte një insistim nga ana e gazetarëve për ta gjetur përgjegjësin për ndarjen e këtyre “ndereve”, dhe një perfiditet nga përgjegjësi për t’ia lënë “fajin” studentëve. Pas gjithë asaj ekstaze nderuese, me përmasa shtetërore, s’mund t’u thuash njerëzve, sikur ai me telefonin: “m’fal, se fëmija po ma prekin telefonin”. Puna e “alumni nderi” (po e përdori shpesh, se ndoshta kështu kalku normalizohet) nuk është punë fëmijësh. Në shumicën e universiteteve, vendimi për t’ia dhënë dikujt titullin “alumni nderi” nuk merret nga grupe studentësh, as nga parlamenti i studentëve, por nga organe zyrtare të larta të universitetit, si rektori dhe senati, ndërsa ndihmë për rekomandime dhe opinione japin edhe bordet, komisionet e veçanta dhe parlamenti studentor.

Pra, krejt çka desha të them është se blofi i djeshëm pompoz në Universitetin e Prishtinës ka ndodhur për shkak se askush nuk konsultohet me askënd dhe, sidomos, askush në UP nuk konsultohet me profesorët e Fakultetit të Filologjisë, që, së paku në këso “cikërrima” etimologjike, traduktologjike e terminologjike, kuptojnë pak më shumë e i sqarojnë pak më mirë.

Kur u thosha se pa Letërsinë dhe Gjuhën, Universiteti i Prishtinës s’ka të ardhme, nuk dëgjonin. Tash në vend se me i shpallë “Alumni të dalluar” (distinguished alumni), i shpallin “alumni nderi”, që i bie si me të thirrë mysafir n’shpi tande.

Pra, edhe njëherë: kolegë të dashur, ku i patët mendtë kur i nderuat “kokat” (e shtetit)? Sigurisht, duke i nderuar (sado përçudshëm), ligjin nuk e keni shkelë, por ftyrën ia keni marrë universitetit dhe shtetit.

Universiteti, bashkë me Akademinë, në vende të tjera shihet si truri, mendja, apo arsyeja e shtetit. Në Kosovë, po shihet qartë, kjo arsye është në gjumë të thellë. Francisco Goya e ka një cikël punimesh me titullin “Gjumi i arsyes prodhon përbindësha”. Se çfarë përbindëshash po krijohen në vendin tonë, e shohin vetëm ata që s’kanë fjetur ende.

Back to top button