Aq e dobtë nga uria nuk mund ta varroste fëmijën e saj

Fëmijët e vegjël po vdesin në Somali mes thatësirës më të keqe që ka goditur vendin në 40 vjet. Zyrtarët qeveritarë thonë se një katastrofë edhe më e madhe mund të përfshijë vendin brenda ditëve ose javëve nëse nuk arrin më shumë ndihmë.
Lotët ranë në faqet e uritur të Dahirit 11-vjeçar. “Unë thjesht dua t’i mbijetoj kësaj”, tha ai në heshtje.
I ulur pranë tendës së improvizuar të familjes, në rrafshinën me pluhur jashtë qytetit të Baidoas, nëna e tij e lodhur, Fatuma Omar, i tha të mos qante, raporton BBC
“Lotët e tu nuk do ta kthejnë vëllanë tënd. Gjithçka do të jetë mirë”, tha ajo.
Djali i dytë i Fatumës, 10-vjeçari Salat, vdiq nga uria dy javë më parë, pak pasi familja arriti në Baidoa nga fshati i tyre, tre ditë më këmbë. Trupi i tij është varrosur në tokën shkëmbore pak metra larg shtëpisë së tyre të re dhe varri tashmë i mbuluar me mbeturina është gjithnjë e më i vështirë për t’u dalluar, ndërsa të ardhurit e rinj kanë ngritur kampin rreth tyre.
“Nuk mund të pikëllohem për djalin tim. Nuk ka kohë. Më duhet të gjej punë dhe ushqim për t’i mbajtur gjallë të tjerët”, tha Fatuma, duke përqafuar vajzën e saj më të vogël, Billen nëntë muajshe, përcjell rtv21.tv
Në anën tjetër të rrugës së papastër që shtrihet në jug-lindje, drejt bregut dhe kryeqytetit të Somalisë, Mogadishu, familje të tjera të zhvendosura treguan histori më të zymta të udhëtimeve të gjata nëpër një peizazh të tharë nga thatësira në kërkim të ushqimit.
Një sondazh i ri ka treguar se pothuajse dy të tretat e fëmijëve të vegjël dhe grave shtatzëna në kampe vuajnë nga kequshqyerja akut, e cila së bashku me një shkallë të lartë vdekjesh, mund të tregojë se një shpallje e lokalizuar e urisë është tashmë e vonuar.
“E pashë vajzën time [Farhirin tre vjeçare] të vdiste para meje dhe nuk mund të bëja asgjë”, tha një nënë, e cila kishte ecur për të paktën 15 ditë me nëntë fëmijët e saj nga një fshat i quajtur Buulo Ciir për të arritur në Baidoa.
“Unë e kisha mbajtur atë për 10 ditë. Na u desh ta linim në anë të rrugës. Nuk kishim forcë ta varrosnim”, vazhdoi ajo.

(BBC)
“Nuk kam sjellë asgjë me vete. Nuk ka mbetur asgjë në shtëpi. Bagëtitë janë të ngordhura. Fushat janë tharë”, tha Habiba Mohamud, 50 vjeçare.
Në repartin e pranimeve në spitalin kryesor të qytetit, Dr. Abdullahi Yussuf lëvizi midis shtretërve, duke kontrolluar pacientët e tij të vegjël dhe të dobësuar. Shumica ishin fëmijë midis dy muajsh dhe tre vjeç.
Të gjithë ishin të kequshqyer rëndë. Disa kishin pneumoni dhe shumë po luftonin gjithashtu me një shpërthim të ri të fruthit.
Pak foshnja kishin forcën për të qarë. Disa prej tyre kishin lëkurë të dëmtuar rëndë, të thyer nga ënjtja që ndonjëherë shoqëron rastet më ekstreme të urisë.
Megjithëse zyrtarët somalezë dhe organizatat ndërkombëtare kanë dhënë alarmin për muaj të tërë për një zi të afërt në këtë rajon jugperëndimor, Dr Abdullahi tha se spitali i tij tashmë kishte mungesë të artikujve bazë, duke përfshirë suplementet ushqimore për fëmijët.
Një ministër i qeverisjes vendore pranoi se kishte pasur dështime.
“Ne duhet të jemi më të shpejtë se sa jemi dhe duhet të jemi të saktë… dhe më efektiv,” tha Nasir Arush, Ministër për Çështjet Humanitare për shtetin Jugperëndimor, në një vizitë të shkurtër në një nga kampet përreth Baidoas./21Media

Back to top button