“Arbëria”, filmi shqip për arbëreshët së shpejti në Netflix

Filmi “Arbëria” kushtuar arbëreshëve të Italisë do të fillojë të shfaqet në platformën e filmave “Netflix” nga 23 dhjetori.
Me regji të Francesca Olivierit, “Arbëria” trajton jetën e arbëreshëve në Itali përmes një historie dramatike. Personazhi kryesor, Aida Greco, është një rrobaqepëse që e ka mësuar zanatin nga babai i saj. Jeton në një qytet të madh në Italinë veri-qendrore, ku ka hapur një atelie mode.
Aida vjen nga një fshat i veçantë rrëzë Pollinos, në kufirin mes Kalabrisë dhe Bazilikatës, ku është ruajtur gjuha dhe traditat e një pakice, asaj arbëreshe.
Kur Aida duhet të kthehet në shtëpinë e familjes së saj për të përkujtuar vdekjen e babait të saj, ajo rijeton disa konflikte me vëllain e saj Ascanio. Për më tepër, në ëndrrat dhe ankthet e saj, gruaja kujton ndjenjën e turpit që ndjente për përkatësinë e saj.
Kështu, Aida rizbulon përkatësinë e saj ndaj këtij populli, duke e mirëpritur atë turp dhe duke e shndërruar atë në diçka që ndoshta mund ta ndihmojë të kuptojë veten./21Media

Back to top button