ARBK: Vendimi për “Klan Kosova” ishte i drejtë dhe në përputhje të plotë me ligjet në fuqi

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), pas verifikimit të të gjithë dokumentacionit në dispozicion për “Klan Kosova” Sh.P.K., ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë ishte i drejtë dhe në përputhje të plotë me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

“Kjo, pasi që Komisioni ka siguruar dokumentacionin aktual nga institucioni përkatës në Maqedoninë e Veriut, për “Pronarët e Vërtetë të Subjektit”, në të cilin dokumentacion ka gjetur se Kosova paraqitet përsëri si pjesë e Serbisë”, thuhet në komunikatën e MINT-it.

Në bazë të këtij dokumentacioni, të cilin ministria e publikoi në tri faqe, Komisioni ka refuzuar ankesën e parashtruar nga pala në procedurë, “duke konfirmuar të njëjtën shkelje të Kushtetutës që e ka konstatuar ARBK në shkallën e parë”.

“Çdo palë në procedurë gëzon të drejtën e ankimimit ndaj vendimeve të ARBK-së. Mirëpo, shkeljet e Kushtetutës nuk mund të konsiderohen kurrë si çështje ‘teknike’”, thuhet tutje në reagimin e MINT-it. /21Media

Back to top button