Arrestimet e zyrtarëve në komunën e Prishtinës, VV: Kemi të bëjmë me krim të organizuar

Qendra e Prishtinës e Lëvizjes Vetëvendosje përmes një reagimi publik thotë se me vëmendje dhe shqetësim të madh është duke i ndjekur zhvillimet e fundit në Kryeqytet, ku zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë subjekt i hetimeve e ndalimeve nga organet përgjegjëse shtetërore.

Në reagimin e LVV-së thuhet Komuna e Prishtinës është zhytur në kaos ligjor.

“Si opozitë lokale vazhdimisht kemi ngritur zërin për parregullsitë dhe shkeljet ligjore që kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin tash e dy vjet në çdo segment të qeverisjes në Kryeqytet. Prishtina tani, nën qeverisjen LDK-PDK, është shndërruar në qytet kampion për paligjshmëri, padrejtësi e anarki. Nuk ka dyshim se përgjegjësia kryesor për këtë gjendje bie mbi të parin e Kryeqytetit, Përparim Ramën, për shkak të veprimeve të tij paligjshme, e të cilat tashmë çdo ditë po shpërfaqen në opinion”, vijon reagimi.

LVV shton tutje se “jemi të bindur se për rastin e arrestimeve të fundit, nuk bëhet fjalë për veprime individuale të personave të caktuar, tani të arrestuar e intervistuar, por kemi të bëjmë me veprimtari kriminale të koordinuar e organizuar në hierarki të pushtetit lokal në Prishtinë”.“Kërkojmë nga organet e hetuesisë dhe drejtësisë që rastin në fjalë, por edhe rastet e tjera të sinjalizuara e të denoncuara, t’i trajtojnë me prioritet e profesionalizem maksimal dhe t’i sjellin para përgjegjësisë të gjitha ata që në çfarë do mënyrë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin e për interesa personale e partiake, familjare e klanore.

Nepotizmi, korrupsioni, keqpërdorimet, hajnia, paligjshmëria e pabarazia nuk janë as të pranueshme e as të lejueshme. Prishtina dhe qytetarët e Prishtinës duan dhe meritojnë qeverisje të pastër e të drejtë”, shton tutje LVV, dega në Prishtinë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi të premten se ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave, V. M. dhe V. M., nën dyshimin se të njëjtit në cilësinë e zyrtarëve të lartë të Qendrën për Punë Sociale në kryeqytet kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka konfirmuar se është intervistuar pasditen e kësaj të premte nga Policia e Kosovës në cilësinë e dëshmitarit.Ai ka bërë të ditur se intervistimi i tij është bërë lidhur me rastin e ndalimit të tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.“Ky rast ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, të cilat ne si qeverisje i kemi trashëguar nga qeverisja e kaluar. Sipas kërkesave të drejtorive përkatëse, këto kontrata mbi vepër kanë qenë pozicione të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar Zogaj në “Facebook”.

Back to top button