Arrestohen dy persona të dyshuar për rrëmbim
Policia e Kosovës ka arrestuar sot personat me E. S 24 vjeçar dhe Gj. S 55 vjeçar shtetas kosovarë, lidhur me një rast të rrëmbimit më 26 janar rreth orës 22:45, në Shtrubullovë të Drenasit.
Personi i rrëmbyer, i moshës 33-vjeç, ishte dërguar në një lokacion në komunën e Lipjanit, me ç’rast ndaj tij ishte ushtruar dhunë dhe forma të ndryshme të kanosjes.
Mbështetur në informacionet e para policia kishte filluar hetimin përfshirë këtu bastisjet në lokacione të ndryshme, si edhe ndërmarrjen e një varg veprimesh operativo policore, që rezultuan me identifikimin e personave të dyshuar.
Dy të dyshuarit e arrestuar me aktvendim të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, ndërkohë që hetuesit policor po punojnë për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes.
Policia njofton se dyshimet janë ngritur për veprat “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Lëndim trupor”, si dhe “Kanosje”./21Media