Arrestohen dy zyrtarë policorë në Pejë, dyshohen për marrje ryshfeti

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar dy zyrtarë policorë, nën dyshimin se kanë marrë ryshfet.
IPK-ja ka njoftuar se ka marrë informata të dielën nga një qytetar që ka pretenduar se dy policë të njësisë rajonale të trafikut rrugor në Pejë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Hetuesit e IPK-së kanë marrë informata se policët e kishin ndaluar qytetarin në një pikë kontrolli dhe për të mos i shqiptuar gjobë i kanë kërkuar një shumë monetare.
Ndërkaq me vendim të prokurorit ndaj dy të dyshuarëve masa e ndalimit është caktuar për 48 orë.
“Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar sot informacione nga një qytetar i cili pretendonte se dy zyrtarë policorë nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor, të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione se zyrtarët policorë e kishin ndaluar qytetarin në një pikë kontrolli dhe për të mos i shqiptuar gjobë i kanë kërkuar qytetarit një shumë monetare. Pas veprimeve paraprake hetimore të kryera nga hetuesit e IPK-së, janë arrestuar dy zyrtarët policorë me dyshimin se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” dhe të njëjtëve me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Për të parandaluar çdo ndikim të mundshëm në rrjedhën e hetimit si dhe për të mbrojtur integritetin e procedurës hetimore, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e tyre. Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente. IPK falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunim duke mbetur e përkushtuar drejt fuqizimit të integritetit në radhët e policisë. Të gjitha informacionet që pranohen përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333) do të trajtohen me profesionalizëm dhe konfidencialitet nga hetuesit e IPK-së”, thuhet në njoftim. /21Media