Arrestohen tetë doganierë dhe një polic në veri

(Lajm i përditësuar)


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton se në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Doganën e Kosovës, dhe mekanizmat relevantë, është zhvilluar një aksion për kontroll në njëmbëdhjetë lokacione, i cili është mbështetur nga Policia e Kosovës.

Prokuroria Speciale njofton se kontrolli është bërë me qëllim të mbledhjes së provave dhe ndalimit të nëntë zyrtarëve të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.

“Dyshimet janë bazuar në një hetim të gjatë të udhëhequr nga Prokuroria Speciale dhe të zbatuar nga Dogana e Kosovës dhe Inspektorati Policor, pasi që nën hetime ka qenë i përfshirë edhe një zyrtar policor. Gjatë këtij aksioni janë grumbulluar prova që mbështesin dyshimin se këta nëntë zyrtarë, tetë nga të cilët janë zyrtar të Doganës dhe një zyrtar policor nga Policia kufitare, kanë qenë të përfshirë në veprat për të cilat dyshohen. Po ashtu, nga ky aksion janë sekuestruar sende tjera të rëndësishme për procedurë të mëtutjeshme hetimore si: njëzet plumba zyrtare të Doganës së Kosovës, dhjetë telefon së bashku me katër sim kartela, një pistoletë e kalibrit 9 mm me tre karikator dhe 9 fishek, me leje, gjashtëmbëdhjetë copë municion jo zyrtar”, thuhet në njoftim.


Bastisje në veri

Policia e Kosovës është duke kryer aksion në disa lokacione në komunat veriore të Kosovës.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë për veri, Veton Elshani.

Ky aksion është duke u zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Speciale për veprat penale penale “korrupsion”, “marrje ryshfeti” dhe “shpërdorim të detyrës zyrtare”, kështu ka thënë për portalin rtv21.tv zëdhënësi  i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu.

Aksioni është duke u zhvilluar, mirëpo zyrtarisht ende nuk dihet nëse ka ndonjë të arrestuar./21Media

Back to top button