Arrestohet edhe një i dyshuar serb për sulm ndaj gazetarëve

Është arrestuar edhe një i dyshuar për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq më 16 qershor.

Sipas policisë, i dyshuari është i komunitetit serb, i identifikuar me iniciale, U.V.

Autoritetet thanë se arrestimi është kryer këtë të hënë në një fshat të Leposaviqit.

“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Angazhimi dhe përkushtimi i Policisë së Kosovës, do të vazhdojë për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin”, thuhet në njoftimine Policisë.

Ditë më parë janë arrestuar edhe dy persona tjerë që kanë sulmuar gazetarët në veri.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur qysh më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarë e KFOR-it në Zveçan. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët./21Media

Back to top button