Arrestohet edhe një person për arratisjen e Faton Hajrizit

Policia e Kosovës e ka arrestuar edhe një person që dyshohet se e kishte ndihmuar Faton Hajrizin të arratisej nga burgu.
Lajmin për rtv21.tv e ka konfirmuar Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.
Preteni ka thënë se të dyshuarit i janë caktuar 48 orë paraburgim.
Ky është personi i dytë i arrestuar, pasi një ditë më parë në pranga u vu edhe një i dyshuar për arratisjen e Hajrizit nga burgu i Smrekonicës.
Faton Hajrizi iku nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik për t’u bërë e nënta herë që arratisej nga burgjet e Kosovës. Autoritetet në Serbi thanë të premten se e vranë atë, ditën e dytë pasi ai e qëlloi për vdekje një polic dhe një tjetër e plagosi, derisa po përpiqej ta kalonte kufirit për në Bosnjë-Hercegovinë./21Media