Arrestohet i dyshuari që vrau bashkëshorten e tij në Gjermani

Ai dyshohet se ka vrarë gruan në prill të vitit të kaluar

Prokuroria Themelore në Gjilan njofton se ka arrestuar D. R i dyshuari për vrasjen e gruas së tij në Gjermani. Urdhërarresti për të dyshuarin është lëshuar nga autoritetet e Republikës Federale të Gjermanisë. Sipas prokurorisë D. R është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.

“Ekziston dyshimi i bazuar që, më 11 prill 2018, në qytetin Essen, në Gjermani, i dyshuari në banesën e tij, e ka vrarë bashkëshorten e tij, tani të ndjerën J.R dhe pas kryerjes së kësaj vepre penale, është larguar nga vendi i ngjarjes duke marrë me vete edhe dy fëmijët e tij të mitur, njëri i moshës 10 vjeçare, ndërsa tjetri 15 vjeç. Gjithashtu, i njëjti pas arratisjes, ka lënë pas vajzën e tij të mitur, të cilës nga autoritetet gjermane, i’u ka caktuar kujdestari ligjor.”, thuhet në njoftimin e e Prokurorisë Themelore të Gjilanit.

Sipas prokurorisë i dyshuari pas arratisjes nga organet e ndjekjes, fëmijët e tij, të cilët kanë shtetësi gjermane i ka mbajtur të mbyllur, duke paraqit rrezik të madh për ta. “Nga autoritetet gjermane të dyshuarit i’u është marrë e drejta prindërore, në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Essen, të cilin aktgjykim e ka njohur Gjykata Themelore në Gjilan. Pas arrestimit të të dyshuarit, fëmijët, janë strehuar përkohësisht në Strehimoren për Mbrojtjen e Viktimave, në Gjilan.”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Gjilan bën të ditur se brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në kohëzgjatje prej 40 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan./21Media

Back to top button