Arrestohet kreu i Lushnjës, reagon Rama

 
Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion në Shqipëri pas një hetimi disa mujor lidhur me keqpërdorime në disa tender, ka kryer një bastisje këtë të martë në zyrat e ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Lushnjë.
Si rezultat i këtij operacioni janë shoqëruar 9 persona, Flamur Peqini, Xhemal Hasko, Blerta Turuku, Ani Simoni, Andri Mushaj, Margarita Gjermeni, Bujar Murati, Ibrahim Lami, Gazment Çela.
Raportohet se tek të arrestuarit rëndon akuza e korrupsionit, ndërsa mësohet se në mesin e të arrestuarve është edhe kreu i Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe.
Përmes një shkrimi në Twitter, kryeministri Edi Rama ka thënë se askush nuk do të ketë mbrojtje nga Partia Socialiste.
Rama ka shtuar se çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak.
“Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve. Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak” ka shkruar Rama.

Back to top button