Arrestohet në Prishtinë një person “i shumëkërkuar” nga Gjermania

Policia e Kosovës ka bërë më dije se ka arrestuar një person “të shumëkërkuar” me urdhër arrest ndërkombëtar nga Gjermania, për të cilin u tha se kërkohej për vepra penale që lidhen me trafikimin e narkotikëve.
Operacioni që u vlerësua i suksesshëm, u realizua të mërkurën, nga ekipi për gjurmimin e personave me fletarrest vendor dhe ndërkombëtar, thuhet në një njoftim që u lëshua të mërkurën rreth orës 22.
Nga policia njoftuan se personi është identifikuar dhe ndaluar në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, ndërsa gjatë verifikimit të identitetit, ai ka paraqitur dokumente të huaja të cilat, siç bëhet me dije, dyshohet se i përkasin një personi tjetër.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent nga Departamenti për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit. Ky i fundit është dërguar në Qendrën e Ndalimit, ku pritet të vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore.
Policia njoftoi se veprimet e mëtejme në lidhje me këtë rast do të ndërmerren në koordinim me autoritetet kompetente vendore dhe ndërkombëtare.