Arrestohet një person, dyshohet se e ndihmoi Faton Hajrizin pas arratisjes nga burgu

Një person është ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit pasi dyshohet se i ka ndihmuar Faton Hajrizit pas arratisjes nga Burgu i Smrekonicës.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitorivcë, Valon Preteni, i cili tha se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprës penale “Dhënia e ndihmës kryesit të veprës penale pas kryerjes së veprës penale”.

“Është ndaluar ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit një person për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale ‘Dhënia e ndihmës kryesit të veprës penale pas kryerjes së veprës penale. Brenda afatit të paraparë ligjor, Prokuroria Themelore në Mitrovicë do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë për të ndaluarin”, tha Preteni për rtv21.tv.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka bërë të ditur se personi që është arrestuar, është ftua për intervistim nga ana e policisë.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka zhvilluar hetime në lidhje me arratisjen e ndodhur ditë më parë në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë. Në vazhdën e veprimeve hetimore, sot me datë 20.07.2024 është ftuar për intervistim një person mashkull kosovar, për të cilin dyshohet se ka ndihmuar të dyshuarin pas arratisjes nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë. Për të gjitha veprimet hetimore është konsultuar prokurori kompetent, me vendim të të cilit personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë”, ka bërë të ditur Kelani për rtv21.tv.

Faton Hajrizi iku nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik për t’u bërë e nënta herë që arratisej nga burgjet e Kosovës. Autoritetet në Serbi thanë të premten se e vranë atë, ditën e dytë pasi ai e qëlloi për vdekje një polic dhe një tjetër e plagosi, derisa po përpiqej ta kalonte kufirit për në Bosnjë-Hercegovinë./21Media

Back to top button