Theret me thikë një person në Deçan, arrestohet sulmuesi

Një incident ka ndodhur sot pasdite në rrugën “Luan Haradinaj” në Deçan, si pasojë e të cilit një person ka mbetur i lënduar nga goditja me thikë dhe një tjetër është kapur nga policia.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 13:45 dhe se personi i lënduar është dërguar fillimisht në Spitalin e Pejës, prej nga është transferuar në QKUK.

“Policia ka dalë ne vendin e ngjarjes, aty kuptohet se i dyshuari e ka sulmuar ne mjet të mprehtë (thikë) viktimën, e cila është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë e më pas për shkak të gjendjes së tij në QKUK-Prishtinë, për tretman mjekësor”, ka thënë Rugova.

Rugova ka bërë të ditur se personi i dyshuar për sulm ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është arrestuar nga policia, e cila tek ai ka gjetur dhe sekuestruar mjetin me të cilin është kryer vepra.

“Personi i arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti cilësohet vrasje në tentativë”, ka përfunduar Rugova.
Back to top button