Arrestohet një person në Pejë për kanosje ndaj zyrtarëve policorë

Një person i dyshuar është arrestuar nga Policia e Kosovës në Pejë, nën dyshimin për veprën penale “Kanosje ndaj personit zyrtar”.
Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi ka ndodhur më 2 shkurt 2026 rreth orës 08:50, kur zyrtarët policorë të Stacionit Policor Pejë, gjatë patrullimit, kanë vërejtur një person i cili ishte i shpallur në kërkim policor.
I dyshuari, sapo ka vërejtur zyrtarët policorë, ka tentuar të ikë, por është kapur dhe arrestuar pas një ndërhyrjeje të shpejtë të Policisë.
“Gjatë transportimit për në Stacionin Policor në Pejë, i dyshuari ka kanosur zyrtarët policorë. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosje ndaj personit zyrtar””, thuhet në njoftim.
Pas intervistimit nga hetuesit policorë, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.