Arrestohet një rreshter i Policisë për “Fajde” dhe “Detyrim”
Hetuesit e Departamentit të Hetimeve të Inspektoratit Policor të Kosovës kanë arrestuar sot një zyrtar policor (me gradën e rreshterit) me dyshimin se ka kryer veprën penale të “Fajdes” dhe “Detyrimit”.
IKP ka informuar se zyrtari i dyshuar është arrestuar nga hetuesit e IPK-së kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Fajdes” dhe “Detyrimit”.
“IPK është njoftuar sot nga Policia e Kosovës (policia kufitare) në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ku gjatë procedurave të kalimit kufitar në hyrje ishte paraqitur një i dyshuar (zyrtari policor) i cili ka rezultuar si person i kërkuar. Arrestimi i sotshëm është vazhdimësi e hetimit dhe operacionit të datës 22.02.2022 të zhvilluar nga Drejtoria e për Hetime e Krimit të Organizuar në Prishtinë dhe Prokuroria Themelore në Pejë ku u arrestuan 17 persona të dyshuar për veprën penale të fajdes dhe detyrimit.”, ka informuar Inspektorati./21Media