Policia bastis shtëpinë e një serbi në Kllokot, i gjejnë dy armë e 34 fishekë

Sot gjatë ditës Policia e Kosovës ka bastisur një shtëpi në Kllokot, pronari i së cilës është një serb.

Policia ka njoftuar se pas bastisjes së shtëpisë së serbit në Kllokot, kanë gjetur dy armë dhe 34 fishekë.

“Njësiti i hetimeve të Stacionit Policor Kllokot në mbështetje edhe nga njësite policore të Stacionit Policor Viti sot me datën 24.05.2023 me leje të gjyqtarit të procedurës paraprake ka realizuar një kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të dyshuarit G.P. (viti i lindjes 1977, mashkull kosovar serb). Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dëshmi për gjykatën një (1) pushkë e llojit M48, një (1) pistoletë e llojit ,,Cervena Zastava“ e kalibrit 7.65 mm dhe tridhjetë e katër (34) copa fishekë të kalibrit 7.92 mm”, thuhet në komunikatën e Policisë.

I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor Kllokot ku është intervistuar në bazë të procedurave ligjore, shkruan rtv21.tv

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të ngritët kallëzim penal për veprat penale ,,Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ dhe rasti do të procedohet në prokurorinë themelore./21Media 

Back to top button