Arrestohet njëri prej të dyshuarve për vrasjen në Podujevë

Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar për vrasjen e së hënës në Podujevë.

“Në lidhje me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, nën dyshimin e bazuar se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e veprës së lartcekur bashkë me të dyshuarin i cili dyshohet se kishte kryer vrasjen dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Mesditën e së hënës është vrarë me armë zjarri një person në sheshin “Zahir Pajaziti”, e një tjetër është plagosur.

Po ashtu lidhur me rastin njësitë policore të shoqëruara nga prokurori kujdestar gjatë bastisjes në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të personit të arrestuar kanë gjetur dhe konfiskuar: një pistoletë me katër karikatorë dhe gjashtëdhjetë e dy (62) fishekë, një pushkë gjuetie me dylbi, njëzet fishekë (20), dy antiplumba dhe një veturë me targa të huaja.

Me aktvendim të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër ndodhet në arrati.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

Sipas Policisë rasti është nën procedurë hetimore./21Media

Back to top button