Arrestohet për shpërndarje të narkotikëve

Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person me inicialet E.G , shtetas kosovar, nën dyshimet për shpërndarje të substancave narkotike.
Bazuar në informatat inteligjente për dyshim në shitblerje të substancave narkotike, sot rreth orës 12:40, zyrtarë policor të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit në Vitomiricë/Radavc, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare “Perëndimi” Gjakovë, kanë realizuar një operacion policor në identifikimin dhe lokalizimin e personit të dyshuar.
Si rezultat i veprimeve të zyrtarëve policorë është arritur që në rrugën “Wesley Clark”, në afërsi të Spitalit Regjional në Pejë, të ndalohet dhe identifikohet i dyshuari tek i cili janë gjetur dhe sekuestruar 31 qese të vogla me marihuanë, me sasi 34.8 gramë, 88 euro, një telefon Iphon X, një brisk prej 15 cm, me teh prej 6 cm ngjyrë e zezë dhe metalike, një pako cigare dhe një parfum.
Lidhur me rastin janë njoftuar njësitet relevante dhe Prokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë. Ndërsa, është iniciuar rasti për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
I dyshuari, me urdhër të Prokurorit ndalohet për 48 orë, përderisa hetime të mëtejme janë në proces nga njësit i antidrogës në Pejë.

Back to top button