Arrestohet shtetasi serb që ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar
Një shtetas serb, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua në Pikën e Kalimit Kufitar, Morinë.
Policia e Shtetit sot informoi se i arrestuari është Dejan Stanojevic, 49 vjeç, banues në Ferizaj.
“Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Beogradi, Serbi, pasi Gjykata e Lartë e Beogradit, e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga legjislacioni penal i Serbisë. Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Serbisë.”, informoi Policia.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet serbe, vijon procedurat për esktradimin e shtetasit./21Media