Arrestohet zyrtari policor në Istog, aksidentalisht plagosi familjarin 16-vjeçar

Një i mitur është plagosur aksidentalisht në Dubravë të Istogt, ku i dyshuar është familjar i tij, që është pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.

Ai tha se është arrestuar zyrtari policor dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.

“Hetuesit e IPK-së arrestuan një zyrtar policor në Dubravë të Istogut Prishtinë/Istog, 16 korrik 2024, Sot pas mesnatës Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar një informacion nga Policia e Kosovës se ka ndodhur një incident me armë zjarri në fshatin Dubravë të Istogut ku një person ishte plagosur në kokë. Hetuesit e IPK-së menjëherë i janë përgjigjur thirrjes kurse në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore si dhe prokurori kujdestar. Personi i plagosur në këtë rast (i moshës 16 vjeçare i cili ka lidhje familjare me policin) është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës e pastaj është dërguar në QKUK në Prishtinë”, ka thënë Beka për portalin rtv21.tv.

Ai tutje ka bërë të ditur se bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në shtëpinë e zyrtarit policor i cili deri në këtë fazë të hetimit dyshohet se aksidentalisht ka shkrepur armën zyrtare.

“Personi i dyshuar në këtë rast (zyrtari policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra. Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës, njësinë rajonale të hetimeve dhe njësi të tjera do të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur incidenti në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, tha Beka.

Portali rtv21.tv është duke pritur përgjigje zyrtare nga QKUK lidhur me gjendjen shëndetësore të viktimës./21Media

Back to top button