Arrihet marrëveshje për mbrojtjen e oqeaneve

Shtetet kanë arritur marrëveshje historike për të mbrojtur oqeanet e botës pas dhjetë vjetësh negociata.
Traktati për detin e hapur vendos që deri në vitin 2030, 30 për qind e deteve të jenë në zona të mbrojtura, me synimin për të mbrojtur dhe për të rikuperuar natyrën detare.
Marrëveshja u arrit në mbrëmjen e së shtunës, pas 38 orësh bisedime në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Negociatat për këtë traktat janë bllokuar për vite të tëra për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me financimin dhe të drejtat e peshkimit.
Marrëveshja e fundit ndërkombëtare për mbrojtjen e oqeaneve ishte nënshkruar më 1982. Ajo marrëveshje krijoi zonat e quajtura dete të hapura – ujëra ndërkombëtare ku të gjitha shtetet kanë të drejtë të peshkojnë, të transportojnë dhe të bëjnë kërkime – por, vetëm 1.2 për qind e këtyre ujërave janë të mbrojtura.
Në zonat e reja të mbrojtura, sipas traktatit të ri, do të ketë kufizime sa i përket peshkimit, rrugëve të kalimit të anijeve dhe aktiviteteve eksploruese, sikurse nxjerrja e mineraleve nga shtrati i detit që gjendet 200 metra apo më poshtë sesa nga sipërfaqja e ujit.

Back to top button