Arrijnë në Kosovë 38 mijë e 400 doza të vaksinës kundër COVID-19

 

Mëngjesin e së mërkurës, në Kosovë kanë arritur 38 mijë e 400 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Shpërndarja e tyre, sipas njoftimit të programit të UNICEF-it në Kosovë, do të jetë në përputhje me Planin Kombëtar të Vaksinimit të Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Sot, ne kemi bërë një hap tjetër të rëndësishëm drejt shpërndarjes së barabartë të vaksinave! 38,400 doza shtesë të vaksinës kundër #COVID19 sapo mbërritën në Kosovë përmes COVAX. Shpërndarja do të jetë në përputhje me Planin Kombëtar të Vaksinimit të Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës Që nga mbërritja e 24,000 dozave të para të vaksinës kundër #COVID19 në Mars 2021, Ministria e Shëndetësisë zbatoi Planin Kombëtar të Vaksinimit, ku punonjësve shëndetësor dhe të moshuarve u dha përparësi si grupet e para për tu vaksinuar”, thuhet në njoftimin e UNICEF-it.

Kontingjentin e ri në kuadër të Aleancës COVAX e kanë pranuar kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/përfaqësues Special i BE-së, Tomas Szunyog, ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, drejtori i UNICEF-it, Murat Sahin dhe drejtoresha e Misionit të USAID në Kosovë, Lisa Magno.

Kurti i ka falënderuar shtetet e QUINT-it dhe organizatat e tjera për ndihmën e vazhdueshme në ballafaqimin e Kosovës me pandeminë COVID-19. Përfaqësuesit diplomatikë dhe ata të organizatave ndërkombëtare në Kosovë kanë premtuar se do të vazhdojnë të ndihmojnë Republikën e Kosovës në këtë përpjekje të përbashkët.

Me kontingjentin e pranuar sot numri total i vaksinave të siguruara nëpërmjet Aleancës COVAX arrin në 62 mijë e 400.

Ndryshe, sot filloi vaksinimi kundër COVID-19 i personave mbi moshën 65-vjeçare./21Media

Back to top button