Asghar Farhadi i bën thirrje botës që të solidarizohet me popullin iranian

Prodhuesi Iranian i filmave, Asghar Farhadi, ka ftuar botën që të tregojë solidaritet me popullin Iranian.

Ky fitues i Oscarit këtë e bëri përmes një videoje, si reagim për protestat e fundit në Iran, të cilat shpërthyen për shkak të vdekjes së 22 vjeçares Mahsa Amini. Ajo vdiq disa ditë pasi që u mbajt nën arrest, siç kanë bërë të ditur autoritetet Iraniane, si pasojë e sulmit në zemër. Amini u arrestua për shkak të mos përfilljes së kodit të veshjes në Iran. Që prej shpërthimit të protestave me 17 shtator, janë vrarë dhjetra protestues e policë.

Farhadi me këtë rast, mesazhin në video e filloi me fjalët se me siguri se bota ka dëgjuar për lajmet e fundit në Iran, se janë parë imazhet e grave të guximshme të cilat kanë drejtuar protestat për të drejtat e tyre përkrah meshkujve. Ato kërkojnë të drejta fundamentale të cilat shteti ua ka mohuar me vite, ka thënë Farhadi.

Ky prodhues filmash ka thënë se kjo shoqëri, veçanërisht këto gra, kanë bërë një rrugë të vështirë deri këtu, dhe tani është e qartë se kanlë arritur aty ku duhet. Ai ka thënë se i ka ndjekur nga afër për këto net. Shumë prej tyre janë të reja, 17 apo 20 vjeçe. Ai ka thënë se ka parë zemërim por edhe shpresë në fytyrat e tyre.

Farhadi ka thënë se respekton betejën e tyre për liri dhe të drejtën për të vendosur për fatin e tyre, përkundër brutalitetit ndaj të cilit ekspozohen.

Farhadi krenohet për gratë e fuqishme të vendit të tij, dhe shpreson se ato do të arrijnë synimin e tyre.

Asghar Farhadi në fund u ka bërë thirrje të gjithë artistëve, prodhuesve të filmave, intelektualëve, aktivistëve për të drejta civile nga e tërë bota, të gjithë atyre që besojnë në dinjitetin human dhe liri, që të solidarizohen me gratë e guximshme, por edhe me burrat në Iran, qoftë përmes videove, shkrimeve apo ndonjë mënyre tjetër. Kjo është përgjegjegjësi njerëzore, që mund të forcojë tutje shpresën iraniane në arritjen e këtij qëllimi, në këtë vend ku nuk ka aspak dyshim se gratë do të arrijnë suksese në fusha të ndryshme, dhe të bëjnë ndryshime për të mirë në vend.

Sipas disa informatave, Amini është rrahur gjatë mbajtes, por autoritetet e mohojnë këtë. Ata thonë se ajo ka pasur probleme shëndetësore më parë, gjë që mohohet nga familja e saj./21Media

Back to top button