Ashkalinjtë sot festojnë Ditën e Flamurit

15 shkurti shënon Ditën e Flamurit të komunitetit Ashkali në Kosovë, një datë që përveç festës, shërben edhe për të adresuar çështje si integrimi, arsimimi, punësimi dhe avancimi i të drejtave të këtij komuniteti.
Me rastin e 23-vjetorit, kryetari i Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës, Qazim Rrahmani, ka uruar komunitetin, duke theksuar se kjo ditë shënohet me krenari dhe emocion të veçantë.
“Kjo është një ditë që simbolizon identitetin, historinë dhe dinjitetin tonë si komunitet – një ditë që na bashkon rreth flamurit dhe vlerave tona të përbashkëta”, deklaroi ai.
Rrahmani theksoi se për 23 vjet kjo ditë ka qenë dëshmi e unitetit dhe qëndrueshmërisë së komunitetit.
“Ne kemi dhënë dhe vazhdojmë të japim kontribut të rëndësishëm në jetën institucionale, sociale dhe kulturore të vendit. Rruga jonë ka qenë e mbushur me sfida, por edhe me arritje që sot na bëjnë krenarë. Çdo hap përpara është rezultat i unitetit, punës dhe përkushtimit tonë të përbashkët”.
Ai falënderoi gjithashtu Sabit Rrahmanin, Berat Cerimin, Abedin Dino Toplicën, Agim Hysenin dhe të gjithë kongresmenët që morën pjesë në shpalljen e flamurit më 15 shkurt 2003.
“Në këtë 23-vjetor, le të forcojmë edhe më shumë solidaritetin mes nesh. Le të investojmë në arsimimin e fëmijëve tanë, në fuqizimin e rinisë dhe në përfshirjen aktive në jetën shoqërore e politike. E ardhmja e komunitetit tonë ndërtohet me dije, me përgjegjësi dhe me dashuri për njëri-tjetrin”.
“Le të jetë kjo ditë jo vetëm festë, por edhe zotim për të vazhduar rrugën e zhvillimit dhe përfaqësimit të dinjitetshëm. Le ta mbajmë flamurin tonë lart, me krenari dhe me besim se brezat që vijnë do ta çojnë edhe më tej emrin dhe vlerat e Ashkalive. Gëzuar 23-vjetorin e Ditës së Flamurit të Ashkalive! Qoftë kjo ditë burim force, uniteti dhe shprese për të gjithë ne”.