AShNA thotë se s’ka ndodhur asnjë vjedhje në aeroport, vjen reagimi nga policia
Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) ka reaguar pas raportimeve se janë vjedhur disa pajisje teknike në Aeroportin e Prishtinës.
Sipas tyre nuk ka ndodhur asnjë vjedhje në këtë institucion.
“Ky sqarim vjen pas publikimit të lajmit në disa media për vjedhjen e pajisjeve të radarëve në Aeroportin e Prishtinës, duke përdorur si ilustrim me qëllim ose pa, foton e Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, ku më pastaj shumica e mediave janë drejtuar në ASHNA për të kërkuar detaje se si ka ndodhur rasti”, thuhet në reagimin e ASHNA.
ASHNA ka njoftuar se operimet janë duke u zhvilluar normalisht.
Pas kësaj Policia e Kosovës ka dhënë një sqarim lidhur me rastin.
“Më 30.12.2020, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, nga një shtet evropian, ka ardhur një dërgesë për një kompani private. Kjo dërgesë e adresuar në Kosovë, ka rezultuar të jetë dërguar gabim, andaj bazuar në procedurat e parapara e njëjta ka mbetur e deponuar në CARGO. Ndërsa tani, më 29.01.2021, policia është ftuar nga njësitet e doganës, për të hetuar rrethanat e mos pranisë së dërgesës, e cila përmbante pajisje mekanike të radarëve civil, të cilat kanë qenë të paketuara e të cilat nuk gjendeshin në depo. Policia në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe në koordinim me prokurorin, kanë iniciuar rastin ‘vjedhje e rëndë’ të cilin janë duke e trajtuar dhe hetuar sipas kompetencave ligjore”, thuhet në reagimin e policisë./21Media