Ashton lavdëron Pahorin, pasardhësin e mundshëm të Lajçakut

Ish-kryediplomatja e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, e cila kishte ndërmjetësuar për disa vjet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha se i takon BE-së të vendosë se kush do ta zëvendësojë Miroslav Lajçakun në pozitën e të dërguarit për dialogun.
“Unë vij nga një vend që nuk është më në BE dhe nuk mund të ndërhyjë në atë diskutim. I takon BE-së të vendosë se kush do ta zëvendësojë Lajçakun. Kam respektin më të madh për Pahorin. Ai ka bërë një punë të rëndësishme. Çfarëdo që të vendoset, ai është një lojtar i rëndësishëm në atë që do të ndodhë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, deklaori Ashton për “Kosovo Online”.
Pahor e ka shfaqur hapur synimin për ta pasuar Lajçakun në detyrën e ndërmjetësimit në dialogun e vështirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që Lajçak ka thënë se zëvendësuesi i tij mund të zgjidhet para fundit të gushtit, kur edhe atij përfundon mandati.
Miroslav Lajçak me gjasë se do të jetë ambasadori i ri i Bashkimit Europian në Zvicër nga 1 shtatori, duke e pasuar grekun Petros Mavromichalis, i cili do të rikthehet në Bruksel pas katër vitesh në këtë post.
Pas zgjedhjeve europiane që do të mbahen në qershor, do të vendoset edhe se kush do të jetë shefi i ri i diplomacisë europiane, i cili do ta pasojë Josep Borrellin.