ASK: Vazhdon rënia e bizneseve të regjistruara

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë, për tremujorin e katërt të vitit 2021.
Në këtë periudhë gjithsej janë regjistruar 2 mijë e 416 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin paraprak ka rënie për -2.6 përqind të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit 2020, ka rënie për -18.7 përqind të ndërmarrjeve të regjistruara.
Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë dhe riparimi i mjeteve motorike, motoçikletave me 646 ndërmarrje të regjistruara (26.73%), prodhimi me 296 ndërmarrje të regjistruara (12.25%), akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 251 ndërmarrje të regjistruara (10.38%), aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 237 ndërmarrje të regjistruara (9.80%), ndërtimtaria me 183 ndërmarrje të regjistruara (7.57%), e të tjera.
Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 mijë e 314 ndërmarrje të regjistruara në këtë tremujor apo 95.78 përqind, me 5 deri 9 të punësuar ishin 58 sosh (2.4%), me 10 deri në 19 të punësuar ishin 29 ndërmarrje të regjistruara (1.2%), me 20 deri 249 të punësuar ishin 15 ndërmarrje të regjistruara (0.6%), ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruar.
Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, ASK ka bërë të ditur se mbizotëron Komuna e Prishtinës me 765 ndërmarrje të regjistruara (31.66%), Ferizaj me 234 ndërmarrje të regjistruara (9.69%), Prizreni me 169 ndërmarrje të regjistruara (7%), Gjilani me 136 ndërmarrje të regjistruara (5.63%), Peja me 125 ndërmarrje të regjistruara (5.17%), dhe Fushë Kosova me 117 ndërmarrje të regjistruara (4.84%).
Ndërsa komunat e tjera, sipas ASK-së, kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor./21Media

Back to top button