Asnjë nga 25 viktimat e COVID-19 nuk ka qenë i vaksinuar
Nga 3 mijë e 497 qytetarë që u konfirmuan me COVID-19 në shtatë ditët e fundit, nga 6 deri më 12 gusht, 450 ose 12,8 për qind ishin plotësisht të vaksinuar, ndërsa 87,1 për qind ose 3.047 qytetarë pozitivë nuk ishin të vaksinuar. Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut në analizën për periudhën e përmendur regjistron se vdekshmëria është 100 për qind tek të pavaksinuarit, pra asnjë nga 25 viktimat nga COVID-19 nuk ishte i vaksinuar.
Ministria e Shëndetësisë kumtoi se fillon në baza javore të bëjë analiza të rregullta të përqindjes së të vaksinuarve në mesin e rasteve pozitive dhe vdekjeve nga Kovid-19 në vend dhe do t’i publikojë ato çdo të premte për të informuar publikun. Personat që kanë marrë dy doza dhe kanë kaluar të paktën 14 ditë nga aplikimi i dozës së dytë konsiderohen të vaksinuar.
Në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë apelon që qytetarët të vaksinohen sepse vetëm në atë mënyrë do të arrihet imuniteti kolektiv dhe do të parandalohet përhapja e mutacioneve të virusit. Ajo tregon se çdo vaksinë në dispozicion është e sigurt, zvogëlon mundësinë e sëmundjes, parandalon sëmundjet e rënda dhe mbron nga pasojat vdekjeprurëse./TV21