Ata që fitojnë nga kriptovalutat do obligohen të paguajnë tatime

Administrata Tatimore e Kosovës ka dalë me një paralajmërim ku ka potencuar që të gjithë qytetarët të cilët krijojnë të hyra nga kriptovalutat do të tatohen.
“Administrata Tatimore e Kosovës, rikujton të gjithë personat fizikë jo afarist, personat fizikë afarist dhe personat juridikë, se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet dhe Kontributet Pensionale në mënyrë reale dhe në kohë, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin tatimor”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
ATK ka thënë se do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk i deklarojnë të ardhurat e krijuara dhe nuk paguajnë Tatimin dhe Kontributet Pensionale.
“Me fokus të veçantë, ATK do të përqendrohet në identifikimin dhe trajtimin e personave, të cilët krijojnë të ardhura nga kriptovalutat. Për personat fizikë jo afarist, personat fizikë afarist dhe personat juridikë, të cilët nuk deklarojnë të ardhurat e krijuara dhe nuk paguajnë Tatimet dhe Kontributet Pensionale, ATK do të ndërmarrë masat sipas legjislacionit tatimor”, thuhet tutje në njoftim.
Administrata Tatimore e Kosovës, u bënë thirrje të gjithë personave që të deklarojnë të ardhurat e krijuara apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor./21Media

Back to top button