Atalanta njofton Interin se i do 50 milionë për Lookman

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Interi dhe Atalanta rifilluan bisedimet për transferimin e Ademola Lookman të hënën, megjithatë palët mbeten larg marrëveshjes. Klubi nga Bergamo këmbëngul se çmimi i kërkuar për sulmuesin nigerian është 50 milionë euro, ndërsa Interi është i gatshëm të ofrojë jo më shumë se 42-43 milionë euro.

Atalanta gjithashtu preferon ta shesë lojtarin jashtë Italisë, me Atletico Madrid që raportohet se ka shfaqur interes konkret për 27-vjeçarin. Megjithatë, vetë Lookman ka arritur marrëveshje për kushtet personale me Interin dhe e ka bërë të qartë se dëshiron të transferohet në “San Siro” gjatë kësaj vere.

Bisedimet pritet të vazhdojnë në ditët në vijim, dhe sipas raportimeve, edhe pse sulmuesi nuk ka ushtruar ende presion të drejtpërdrejtë mbi klubin e tij, nuk përjashtohet mundësia që të tentojë ta shtyjë transferimin drejt Interit.

Ndërkohë, Atalanta ka mbyllur një tjetër shitje të rëndësishme këtë merkato, duke transferuar Mateo Reteguin – golashënuesin më të mirë të Serie A për sezonin 2024-25 – te Al Qadsiah për 65 milionë euro.

Back to top button