Atentat me armë zjarri, vritet një burrë

 

Një ekzekutim me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e njohur si Fushë-Mbret në Elbasan.

Mësohet se një 41-vjeçar është qëlluar për vdekje në makinë.

Viktima po lëvizte me një makinë tip “Opel” dhe është ekzekutuar në timon në prezencë edhe të bashkëshortes së tij që udhëtonte me të në mjet, e cila gjithashtu ka mbetur e plagosur në dorë.

“Rreth orës 20:10, në lagjen “Skënderbe”, Elbasan, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri në mjet shtetasi E.Ç, rreth 41 vjeç si dhe është plagosur në dorë bashkëshortja e tij shtetasja S.Ç., jashtë rrezikut për jetën” njoftoi policia.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën.

Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet në qytetin e Elbasanit dhe vijon kontrolli i zonës.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e kapjen e autorit/ve./oranews

Back to top button