“Audienca e Vaclav Havelit” jepet nesër në Teatrin Adriana

Komedia “Audienca e Vaclav Havelit” do të jepet nesër në orën 20:00 në Teatrin Adriana në Ferizaj.
”Audienca e Vaclav Havelit” është shkruar nga Jeton Neziraj, me regji Agon Myftari.
Aktorët që luajnë në këtë shfaqje janë Shpëtim Selmani dhe Dukagjin Podrimja.
Në ”Audienca e Vaclav Havelit”, një drejtor i një teatri vizitohet nga një hetues policie, i cili ka me vete një dosje hetimore të quajtur “dosja teatri”.  Por ky s’është një hetues dosido, por një asi tipi kurreshtar i cili para se të kërcejë nga një lëndë në tjetrën, studion, analizon, informohet dhe tek pastaj i nisë hetimet.
Hetuesi i ”Audiencës së Vaclav Havelit”, e ka lexuar madje edhe ”Sistemin” e Stanisllavskit, një libër ky i mbiquajtur edhe si Bibla e Kurani i teatrit. Por nejse, se ky nuk është thelbi i kësaj drame. E cili është thelbi, do të pyesni ju? Puna është se, drama nuk ka fare thelb. Por, a ka së paku konflikt, do të pyeste dikush? Paj, si të themi, si ta marrësh!
Në ”Audienca e Vaclav Havelit”, shteti autoritar ka ngritur një sistem të çuditshëm byrokratik, një kullë Babiloni me letra e rregullore, ligje e amendamente, vendime, nene,  aneks-vendime e aneks-nene…  bash si një rrjetë e hekurt merimange,  që përdoret për të bërë shantazh, për të ngre kurthe, akuzuar e zhveshë prej pozite e dinjiteti njerëzor gjithësecilin që shteti të dojë, veçanërisht ata të padëgjueshmit dhe ata që refuzojnë t’i bashkëngjiten këtij sistemi.
Është e parëndësishme që ti nuk ke bërë ndonjë gabim, prapë se prapë do të gjendesh fajtor, sepse diku aty ekziston një nen, në njërin prej ligjeve a rregulloreve të pafundme, që dëshmon se ti ke qenë në ‘konflikt interesi’ me… se iu ke shmangur nenit b apo f të ligjit për… Ti dëshiron të mbrohesh, prandaj thirresh në një ligj tjetër, siç thirret në ligjin që e ‘garanton lirinë krijuese’, personazhi i “Audiencës së Vaclav Havelit”, por ncuk, krejt e kotë, sepse gjithmonë është edhe një ligj tjetër, dhe pastaj edhe një rregullore e madje edhe një nen kushtetute që dëshmon të kundërtën. Dhe prandaj edhe drejtori i “Audiencës së Vaclav Havelit” gjendet fajtor.
Keq ë? Epo jo, prisni, se nuk është gjithçka terr e zi. Ka shpëtim, mjafton të nënshtrohesh, të heqësh dorë nga ca parime dhe pasta je në rregull me të gjitha ligjet e rregulloret e botës… Sepse në rrjetën e shtetit autoritar të “Audiencës së Vaclav Havelit”, gjithmonë gjendet edhe një nen rezervë diku, që të shpëton me faqe të bardhë, ose gjendet një klauzolë diku, në dukje të parë krejt e parëndësishme, por që mban në vete fuqinë e mbinatyrshme të të shfajësojë për krejt maskarallëqet që mund t’i kesh a mos t’i kesh bërë!/21Media

Back to top button