Auditores së Përgjithshme i zvogëlohet paga
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar kërkesën e Komisionit për Buxhet për zvogëlimin e pagës për një mijë euro të auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca.
Me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kosovës kanë miratuar kërkesën e Auditorës së Përgjithshme për t’ia ulur pagën.
Nga 3 mijë e 800 euro në muaj sa fitonte, tani Spanca do ta ketë pagën 2 mijë e 800 euro, ose 12 mijë euro më pak në vit.
“Për shkak të rrethanave ekonomike kam menduar që do të ishte e drejt paga ime të jetë më e ulët dhe në proporcion me pagën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese”, kishte thënë Spanca gjatë paraqitjes së kërkesës në komisionin parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfer. Gjatë raportimit, Spanca ka theksuar se me marrjen e pozitës së re ka marrë vendim për uljen e pagave për disa pozita, derisa pozitën e këshilltar për media e ka shuar.
Kuvendi i Kosovës, në seancën e 12 gusht 2021, me shumicë votash, ka zgjedhur Vlora Spancën, Auditore të Përgjithshme të Republikës së Kosovës, me mandat pesëvjeçar. Spanca është Auditorja e pestë me radhë, që nga themelimi i institucionit të Auditorit të Përgjithshëm, në vitin 2003.
Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar në vend dhe Zyra Kombëtare e Auditimit është institucion i pavarur, i cili e ndihmon Auditorin Përgjithshëm në kryerjen e detyrave të tij/saj.Auditori i Përgjithshëm i raporton Kuvendit të Repubikës së Kosovës dhe ka të drejtë të kontrollojë të gjitha aktivitetet, programet dhe projektet financiare, administrative dhe të tjera të menaxhuara nga institucionet publike, përfshirë procesin dhe të ardhurat nga shitja e aseteve, privatizimeve dhe koncesioneve./21Media