Austria fiton “Eurovisionin”, Shqipëria e teta

(Lajm i përditësuar)
Austria fiton “Eurovisionin”
Austria me “Wasted Love” të JJ ka fituar edicionin e 69-të të “Eurovisionit”.
Ai ka marrë 436 pikë të kombinuara nga juritë dhe publiku.
Shqipëria me “Zjerm” të Shkodrës Elektronike mori 218 pikë dhe doli e teta. Votat në shumicë i mori nga publiku pasi pas votimit të jurisë ishte e 16-ta.
Austria dhe Zvicra kryesojnë, teksa shpallen rezultatet e jurisë në finalen e Eurovision 2025
Austria ka marrë 154 pikë, kurse Zvicra 140, që llogariten me një epërsi të hershme teksa janë duke u shpallur rezultatet e jurisë në finalen e Eurovision 2025 në Bazel të Zvicrës.
Rezultatet janë një kombinim i pikëve nga juritë kombëtare dhe votat e shikuesve në vendet pjesëmarrëse – së bashku me një votim të veçantë të “Rest of The World”.
Shkodra Elektronike e Shqipërisë me këngën “Zjerm”, mori 40 pikë
Gjon’s Tears interpreton në finale të “Eurovisionit”
Këngëtari shqiptar, Gjon’s Tears, ka interpretuar në finalen e “Eurovisionit” në Zvicër, pas përfundimit të këngëve garuese.
Ai ishte zgjedhur për të marrë pjesë si përfaqësues i Zvicrës në vitin 2020 para se të anulohej për shkak të pandemisë së COVID-19.
E këtë shtet ai e përfaqësoi vitin pasues me “Tout L’Univers”, duke dalë i treti.
Osmani fton qytetarët të votojnë për Shqipërinë në Eurovision: Kosova shndrit me Shkodrën Elektronike
BBC për “Zjerm”: Mënyra e përsosur për ta mbyllur finalen
Mënyra më e përsosur për të mbyllur gjithçka, ka qenë vlerësimi që BBC në transmetimin direkt ia ka bërë këngës “Zjerm” të Shkodrës Elektronike në “Eurovision”.
“Disa nga këngët më të mira të “Eurovisionit” krijonë urë lidhëse midis traditave folklorike të vendit të tyre dhe ritmeve të ashpra të popit modern. Pikërisht këtë po e bën grupi i fundit, Shkodra Elektronike me ‘Zjerm’, i cili hapet me çifteli, instrument tradicional me dy tela nga Shqipëria, pastaj lëviz në puls elektrik që gumëzhin”, ka qenë përshkrimi i BBC-së për këngën e Shqipërisë.
BBC-ja ka shpjeguar edhe se “Zjerm” ka për qëllim të evokojë qytetin e Shkodrës – qendër harmonie fetare, ku gjysma e popullsisë është myslimane dhe gjysma katolike.
Me fjalët “Aman misere” – kombinohen fjalët arabe për shenjtërinë dhe ajo latine për ‘ki mëshirë’, sipas shkrimit.
“Në një konkurs, slogani i të cilit është ‘Të bashkuar nga muzika’, nuk ka mundur të ketë mënyrë më të përsosur për ta përfunduar”, ka vazhduar mediumi prestigjioz.
“Eurovisioni” kulmon me “Zjerm”
Skena prestigjioze e edicionit të 69-të të “Eurovisionit” kulmoi me këngën “Zjerm”.
Kënga unike me këtë titull interpretohet nga Shkodra Elektronike, dyshja nga Shkodra që shkëlqeu në performancë.
Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca janë vetë autorë të muzikës së “Zjerm”. Në tekst janë ndihmuar edhe nga Lekë Gjeloshi.
Shkodra Elektronike interpretoi këngën e 26-ta, apo e fundit para se të nisë procesi i mbledhjes së votave.
Finalja e “Eurovisionit”, Shqipëria performon e fundit
Në Zvicër ka filluar finalja e madhe e edicionit të sivjetmë të “Eurovisionit”.
Në garë janë gjithsej 26 shtete, e Shqipëria që përfaqësohet nga Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, e cila është e fundit në listë për performim.
Ky është edicioni i 69-të i “Eurovisionit”.