Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e çmimit të naftës

Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës të enjten ka njoftuar se ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve në vend, duke përfshirë tregtimin me shumicë dhe me pakicë, me fokus të veçantë te çmimet e naftës dhe benzinës në pikat e shitjes.
Sipas njoftimit, të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në tregtimin e karburanteve në Kosovë janë aktualisht nën monitorim.
Autoriteti thekson se përmes këtij procesi synon të sigurojë mbrojtje nga marrëveshjet e ndaluara, abuzimi me pozitën dominuese dhe praktikat e bashkërenduara ndërmjet kompanive që operojnë në këtë treg.
“Çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut apo kufizimin e konkurrencës përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe është subjekt i sanksioneve ligjore”, thuhet në njoftim.