Avdiu alarmon: Fermerët po shkatërrojnë plantacionet nga mungesa e mbështetjes reale

Profesori universitar i pemtarisë, Vahid Avdiu, i ftuar në emisionin “StartUP” në RTV21, ka folur për sfidat që po i prekin fermerët dhe pemëtarët, duke e cilësuar situatën aktuale si një çështje me prioritet të lartë.

Ai ka shpjeguar edhe këndvështrimin e tij profesional mbi problemet e akumuluara në sektor.

Avdiu theksoi se një pjesë e konsiderueshme e investimeve në pemëtari janë bërë edhe nga qeveria, prandaj situata aktuale është edhe më shqetësuese.

“Po shihet që, varësisht prej situatave në rajon, prej çmimeve, prej tatimeve dhe duke i marrë të gjitha elementet parasysh, duhet vepruar edhe me bujkun tonë, me fermerin tonë. Përndryshe, unë jam dëshmitar dhe i njoh raste kur plantacione në gjendje shumë të mirë, me cilësi të lartë dhe me investime të mëdha në teknologji, janë hequr. Di për fermerë që kanë pasur deri në gjashtë hektarë me kultivarët më të rinj e më të kërkuar në treg, me sistem kundër breshërit dhe i kanë hequr”, tha ai.

Sipas Avdiut, kjo është dëshmi e qartë se investimet po dëmtohen, përfshirë këtu edhe ato të realizuara me mbështetje të qeverisë.

“Ky është një problem real. Në njëfarë mënyre po mbesim në vendnumëro. Disa po subvencionojnë dhe kjo është në rregull, është tatimi, janë të gjitha – por duket qartë se ka nevojë që të gjithë akterët të ulen dhe të gjejnë zgjidhje,” deklaroi ai ndër të tjera./RTV21/21Media

Back to top button