Avokati Ellis- Gecit: Po e përdorni gjykatën për deklarata politike

(Lajm i përditësuar)
Avokati Ellis- Gecit: Po e përdorni gjykatën për deklarata politike
Avokati i Jakup Krasniqit, Aiden Ellis i tha dëshmitarit Fadil Geci se po e përdor gjykatën për deklarata politike
“Unë po ju them juve që po e përdorni këtë gjykatë për të bërë deklarata politike”, tha Ellis.
Kjo deklaratë e avokatit Ellis erdhi pasi dëshmitari tha se njerëzit janë kërcënuar e janë vratë për ta shuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Bardhyl Mahmuti e ka sulmu LDK-në me krejt fuqinë, kundërshtar të LDK-së, komplet ekipi e edhe ai person. Kurrgjë këta nuk kanë pas të bëjnë me LDK-në. LDK-ja për këta u kanë pengesë për me marrë frymë dhe kanë dashët me i likuidu të githa pengesat që i kanë pas. Në Drenicë, katër bashkësi lokale ma të mëdhaja, Xhafer Behrami është vra- drejtor i shkollës e kryetar i nëndegës. Haki Imeri- sa u kanë Haki Imeri, dy fakultete s’ka pas parti tjetër atje. Bahtir Kastrati është kërcenu me jetë. Ismet Rrahmani, themelues i Akademisë së parë ushtarake në Aqarevë është vra”, tha Geci.
Ai shtoi se janë kërcënuar njerëz të tjerë për ta shuar LDK-në, e për “me ecë tjetri organizim”.
Geci tha se persona të caktuar duke përfshirë edhe të akuzuarit, me luftën për pushtet e kanë dëmtuar Kosovën.
“Me luftën për pushtet kanë gabu e i kanë ba dëm Kosovës. Më mirë është kanë me i njoftë institucionet, me e njoftë shtetin e me luftu”, tha Geci derisa u ndalua nga avokati Ellis.
Për Ramë Bujën, dëshmitari tha se ka qenë kryetar i degës së Lipjanit në kuadër të LDK-së, por që sipas tij ai ka qenë marksist-leninist.
“Një djalë i mirë, i mençur e me tana të mirat, por marksist-leninist ka qenë edhe është qashtu hale. Shumë e respektoj edhe m’don edhe e du, po qashtu është”, tha Geci.
Geci për Jakup Krasniqin: Ka përshëndetë me grusht, qashtu qysh është apet e du
Fadil Geci tha se ka shumë respekt për Jakup Krasniqin, por që kanë pasur ideologji të ndryshme e që tashmë i akuzuari përshëndeste edhe me grusht.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit, përmes avokatit Aiden Ellis, dëshmitari tha se sërish e do të akuzuarin ashtu siç është.
“Shumë kam respekt. Unë e kam dashtë Jakupin, por ka pasur bindje tjetër dhe me grusht ka përshëndetë. E ka pas mendimin. Ideologji e ka, ideologji edhe nuk mun ja hjek, qashtu iu ka shpërla tru… Qashtu u kanë i mirë, qysh osht apet e du”, tha Geci, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Megjithatë, Geci tha se mendon që Jakup Krasniqi për vëllezërit Geci ka shkruar gabim. Ai tha se nuk ka biseduar me Krasniqin për arsyet e largimit të tij nga LDK-ja.
Dëshmitari theksoi se Krasniqi ka qenë në një organizatë marksiste-leniniste, e cila ka qenë më pas e konvertuar në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK) e në organizata të tjera që për rrjedhojë kanë pasur përshëndetjen me grusht.
“Me metoda marksiste-leniniste është vepru. Me t’i vra shokët. M’u kanë vra gjashtë shokë në Drenicë, m’u kanë vra mu. Nuk më lanë me fol hiç. Njerëz më të mirë të mundshëm m’u kanë vra. Haki Imeri është vra, Xhafer Behrami është vra, u qëllu Bahtir Kastrati, një burrë i fortë i asaj ane. Ismet Rrahmani është vra”, tha dëshmitari.
Tutje, dëshmitari iu drejtua të akuzuarit duke i thënë se nuk është dashur që të dalë kundër familjes së tij.
“Nuk është dashtë Jakupi kundër vëllezërve Geci. Pse bre Jakup këshu me ba? Pse kundër vëllezërve Geci që të kanë neru shumë e të kanë respektu shumë, e kanë ba për ty shumë? Pse me shkru aty çka nuk është në histori e me shkru? Ti e din që ato tubime i ka organizu LDK-ja dhe UÇK-ja. Ka mujtë me dalë veç në Llaushë, aty ku e kanë organizu vëllezërit Geci me krejt Llaushën edhe Prekazin e jo në Qirez e Likoshan! Ke ba gabim Jakup”, tha dëshmitari.
Dëshmitari u betua me jetë se çfarë është duke thënë është fakt. Kjo deklaratë e tij erdhi pasi avokati Ellis tha se janë të interesuar për fakte dhe jo për deklarata politike.
Në kundërpyetjet e Mishetiq, dëshmitari tha se Gani Geci është një shpirt i pastër dhe si rrjedhojë avokati ia prezantoi atij një video ku shihej që në një takim të LDK-së, Gani Geci ishte përfshirë në një incident.
“E ka shpirtin ma të pastër çka janë kanë mrena qaty, këtu u kanë publike. Ka reagu paq e pastër për me ruajt diçka. Mos shkatërroni iu ka thanë. Njerëzit që kanë dashtë me shkatërru dihet tash e ai person që e ka shkatërru LDK-në në këtë formë është Fatmir Sejdiu që do të merr përgjegjësi historike se ka pas marrëveshje me këta për me ardhë vetë e me u ba kryetar e me i marrë përsipër të gjitha dhe ka shkatërru LDK në marrëveshje me Hashim Thaçin dhe i kanë bë bizneset ku me shku e çka me ba”, tha Geci.
Ai shtoi se personi tjetër që ka dashur që të shkatërrojë LDK-në ishte edhe Sabri Hamiti.
Ndërsa, Mishetiq ia prezantoi dëshmitarit një dokument tjetër ku tregonte se Fadil Geci ishte përfshirë në një përleshje fizike me Gani Kocin.
“Jam shty me Gani Kocin dhe i kam thanë se më ka thanë ‘kena me ju vra tanve’. Bon vaki ia kom hi edhe ma shumë. Unë nuk kom kajt, ai ka kajtë. Unë nuk kam kajtë”, tha Geci.
Me kaq përfunduan pyetjet e Mishetiq për këtë dëshmitar. Ndërsa, mbrojtja e Selimit dhe Rexhepit nuk patën pyetje.
Geci: Disa këtu i janë gëzuar vdekjes së familjes Jashari, edhe ajo e jona ishte pengesë
Fadil Geci, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit tha se disa prej të akuzuarve në Hagë janë gëzuar kur është vrarë familja Jashari.
“Unë e besoj për me m’hjek prej skenës politike, mbasi e kanë hjek familjen Jashari se ky grup i don vetëm të vdekurit. Rifati është gjallë, është legjendë e nuk e don kërkush këta hiç, as të shpia nuk i shkojnë. Mbasi është dek Ademi o i mirë e nuk mund të flet, a në realitet kur janë vdek janë gzu. Këta nuk e besojnë po popullata le të dijnë. Kur janë dek familja Jashari disa, jo tanë, kërkoj falje se disa këtu e dinë se për cilët po them jo, janë gzu se janë dek se na ka mbet ne me u merr”, tha Geci.
Ai shtoi se edhe familja e tij ishte pengesë për disa prej personave tashmë të akuzuar e që qëllimi ishte që t’i likuidojnë.
“Edhe familja Geci ishin pengesë, ishim na, isha unë. Ishte fati dhe na etiketunë. Po të mos ishte një familje tjetër sikur ne, çfarë do të ishte bërë me ata? Mos të kishim kapatal njerëzor, moral, me histori, cfarë ishte bërë me atë mbas kësaj komunikate? Çfarë ishte bërë? Ishin likfiduar tanë. Kjo është fati”, tha Geci.
Përpara kësaj, Mishetqi pyeti dëshmitarin se a është e vërtetë që vëllai i tij, Gani Geci e kishte qëlluar me armë Abedin Rexhen i njohur ndryshe si “Sandukani”.
“Unë dje iu thash, është një temë që nuk ia vlen me u merr na këtu kur e ka mbyllë mjekësia ligjore. Nuk ja vlen për me bisedu unë për këtë temë”, tha Geci.
Më pas, kryegjyqtari ndërhyri duke i thënë dëshmitarit se nuk i takon atij të thotë që nuk duhet të diskutohet kjo temë, por që duhet t’i përgjigjet pyetjes.
“Vëllai im nuk e ka qëllu, por ai ka vdekë ajo është vërtetuar nga mjekësia ligjore dhe është zyrtare në duart e juve është. Përtej ekspertave nuk kemi ku të shkojmë”, tha Geci.
Si rrjedhojë, Mishetiq i lexoi atë se çfarë vëllai i dëshmitarit kishte thënë për këtë çështje.
“Ata filluan që të gjuajnë me armë menjëherë, shokët na thanë që na vranë dhe ata filluan që të largoheshin. Unë e kisha automatikun në prehër, e mora poshtë, u ula dhe shkova në drejtim të derës, e mora automatikun dhe qëllova në drejtimin e tyre, me pas dola dhe gjuajta duke shkuar në drejtim të shtëpisë. Të shtënat u dëgjuan në shumë drejtime. Kam pasur gjak në fytyrë nga cpirrat e xhamave. I kam larë sytë dhe jam kthyer për të parë se çfarë është bërë. Te kerri e kam taku Skënderin dhe e kam pyetur se kush është vrarë dhe a janë vrarë ata që kanë qenë me mua? Ai m’u përgjigje se është vrarë Abedini. Skënderit i kam thënë që duhet të tregonte realitetin. Vlen të theksohet se diku 5-6 metra më andej, në anën djathtë ka qenë një traktor me disa fëmijë e gra. Ata e din rastin shumë mirë. Kur jam kthyer tek kerri BMW, kerri im nuk ishte aty, e kishin marrë disa djem dhe e kishin dërguar diku”, tha Mishetiq duke shtuar se kjo është deklaratë e Gani Gecit.
Fadil Geci tha se edhe vetë ata e kanë mëndu një gjë të tillë por që mjekësia ligjore e ka vërtetuar të kundërtën.
“Na kemi menduar që është vra prej dorës tonë- Ganiut, por është vërtetu, është hap procedurë dhe është vërtetu nga mjekësia ligjore-obduksioni që personi që është vdekë nuk është vdek prej pushke dhe në të drejtën e përgjithshme, reagimi i parë i njeriut është syri, reagon e pastaj dora. Ganiu ka vepru në vetëmbrojtje dhe ka gju me armë se ai është kanë në pritë por nuk është verteu që ai plumb, e ka marrë një plumb dhe është vra në mënyrë zyrtare sipas mjekësisë ligjore. Kjo është e vërteta”, tha Geci.
Dëshmitari tha se ai nuk ishe në veturë kur vëllai i tij, Ganiu ka qëlluar me armë.
Pas kësaj, Mishetiq prezantoi një deklaratë të gruas së Abedin Rexhës, Sanije Rexha ku thoshte se dëshmitarët okular asaj i kanë thënë se emrat e vrasëseve të burrit të saj janë; Gani Geci, vëllai i tij, Fadili dhe Avni Haxha.
Dëshmitari mohoi të ketë qenë i pranishëm në këtë rast dhe sipas tij nga vëllezërit e tij ka qenë i pranishëm vetëm Ganiu.
Mishetiq tregoi së në deklaratat e saj, gruaja e Abedin Rexhes ka treguar se kur e ka pa trupin e bashkëshortit ka pasur dy plagë plumbi.
Ndërsa, dëshmitari tha se e mbanë mend një deklaratë të Sanije Rexhës që ka treguar se mjekësia ligjore e ka vërtetuar që burri i saj nuk ka vdekur nga plumbi.
Tutje, Mishetiq i tregoi dëshmitarit dokumentet ku tregohet raporti i autopsisë i EULEX-it, i cili i tha se i ishte prezantuar edhe Sanije Rexhes.
Sipas Mishetiq, prokurori i EULEX-it i kishte thënë Sanije Rexhes se raporti i autopsisë ‘nuk e thotë dot me saktësi se cili ishte kanali i plagës sepse mund të vlerësohet vetëm duke parë indet e buta se ne tani kemi vetëm kockat. Në këso situatash kur plumbi hynë në kraharor dhe doli në shpatull del nga përshkrimi yt’.
Tutje, Mishetiq tregoi se prokurori ka thënë se ‘po ta kishim trupin e tij të freskët apo një fotografi të trupit të tij kur ishte akoma i freskët apo mbas disa vitesh do ta kishim përcaktuar me siguri. Prandaj duam të bëjmë analizën e ADN-së që janë qind për qind eshtrat e burrit”.
Veç kësaj, Mishetiq tregoi se sipas raportit të autopsisë së 2014-ës erdhi në përfundim se shkaku i vdekjes nuk mund të provohet.
“Unë nuk e kuptoj gjuhën. Ju po thoni qashtu, unë shqip këtu s’po e shoh, por përafërsisht e kam degju edhe vetë çka ajo ka thënë. Unë po flas çka kam degju dhe vetë çka ka thanë vetë gruaja e Abedin Rexhës. Ajo është kushërirë e jona e Llauhës e një babe të mirë, e një familje të mirë, por e kanë përdorë për nevoja. Gjithë ‘e ke vra, e ke vra’ gjithë e kanë përdorë qata, ky grupi se ju ka vy për nevoja të veta edhe ju po e përdorni tash se unë po thom nuk di, mjekësia ligjore e kanë konstatu, ata e vërtetojnë. Unë mbas eksperteve nuk kam fjalë. Mbas ekspertizës mjeko-ligjore me ndalen mu, e ty si ekspert ndoshta jo”, tha Geci.
Duke folur për komunikatën 59, dëshmitari tha se si pasojë e saj janë vra dy shokë të tyre e i janë plagosur vëllezërit. Ai shtoi se gjashtë shokë të tij janë vra vetëm pse kanë qenë pjesëtar të LDK-së.
“Dy meshkujt më të mirë janë vra për atë komunikatë. Dy vëllezërit janë plagu edhe krejt kreu i Kosovës është kanë i akuzum me komunikata të tilla dhe shumica janë vra. Kjo është e vërteta. 6 shokë unë i kam të vrarë-bashkëpunëtorët më të ngushtë të mijtë vetëm se kanë qenë në LDK për me i pengu”, tha Geci.
Postimi i Gecit në Facebook i cili iu prezantua dëshmitarit, u pranua si prova gjyqësore. Nëpërmjet këtij postimi, familja Geci kërkonte që anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të tregojnë se kush e ka shkruar komunikatën 59 dhe që të kërkojnë falje publike.
Më pas dëshmitarit iu prezantua një artikull në media ku Thaçi kishte kërkuar falje Gani Gecit për komunikatën 59 dhe ndër tjera thoshte që kjo komunikatë nuk i takonte UÇK-së, ishte abuzive dhe është publikuar nga persona keqdashës pa leje të UÇK-së.
“Qysh e gjun gurin e mshef dorën kur e ka shkru vetë dhe kërkon falje. Vetë e ka shkru vetë kërkon falje çfarë kuptimi ka kjo”, tha Geci.
Geci tha se ka kërkuar që i tërë shtabi të kërkojë falje, por që një gjë të tillë sipas tij e ka bërë vetëm Thaçi.
Me kërkesën e mbrojtjes u pranua ky artikull në prova gjyqësore si dhe u klasifikua si publike.
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari tha se gjithkush i LPK-së ishte kundër vëllezërve Geci.
Vëllait i kanë ndodhur disa raste të improvizuara nga këta njerëz, është i dënuar për vrasjen që e ka bërë duke u mbrojtur
Vëllait i kanë ndodhur disa raste të improvizuara nga këta njerëz, është i dënuar për vrasjen që e ka bërë duke u mbrojtur
Fadil Geci tha se vëllait të tij, Ganiut i kanë ndodhur disa raste të improvizuara nga personat që janë në Hagë, të cilët sipas tij kanë tentuar ta vrasin.
Këtë deklaratë, dëshmitari e bëri kur u pyet se a është në dijeni që Rexhep Selimi më 4 mars 2016 ka thënë se Gani Geci është vrasës serial, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Këtu po thotë që e paska quajt ashtu dhe në bazë të komunikatës, ndryshe nuk ke mujt me e quajt”, tha Geci.
Si rrjedhojë, avokati Luka Mishetiq pyeti dëshmitarin se a ka qenë vëllai i tij Ganiu i dënuar më përpara për vrasje.
“Ganiut-vëllait i kanë ndodhë do raste të improvizume prej këtij grupi që kanë tentu me e vra dhe është mbrojtë. E ka mbajtë dënimin, po është dënu 3 vite e gjysmë dhe e ka mbajtë dënimin. Në vetëmbrojtje nga një grup i mirëorganizuar dhe i paguar nga ky Shtab, nga këta njerëz, nga ky njeri që është këtu sot. Ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i tij, ai vrasësi”, tha Geci.
Dëshmitari pohoi se vëllai i tij, Gani Geci është i dënuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.
Përpara të gjithë kësaj, Mishetiq i tha dëshmitarit se për ZPS-në ai ka thënë që ata kanë pasur një problem me Rexhep Selimin në Jabllanicë sa i takon furnizimit me armë.
“Asnjë problem nuk e kemi pas. U kanë një mashtrim. Jena kanë tanë unik, i kam besu, s’u dalë qashtu. Kurrgjë nuk ka të keqe. Nuk është konflikt i madh ajo. S’është kurrgjë”, tha Geci.
Më pas, Mishetiq i tha dëshmitarit se në një intervistë më ’99-ën, Selimi ka thënë që Gani Geci është përpjekur që ta vriste.
“Ka qenë rreptësisht e kundërta. Ai ka qenë përfaqësues i LPK-së. Ne kemi qenë përfaqësues i i shtetit dhe LDK-së dhe ka pas mendime të kundërta. Me Rexhep Selimin jemi takuar disa herë edhe në Llaushë. Kam pas mendime krejt të kundërta. S’është konflikt që ki mendim të kundërt e as nuk është luftë”, tha Geci.
Geci tha se atë intervistë që e ka dhënë Rexhep Selimi ka gabuar dhe që një gjë të tillë duhet ta pranojë.
“Besoj që e pranon edhe vetë që ka gabu. Unë mendoj që duhet me e pranu që ka gabu dhe këto tjerat u panë dhe po shihen se kush, çka. Unë kam mendim të kundërt me Rexhep Selimin, rreptësisht. Ai ka qenë përfaqësues i majtë i LPK-së, unë jam i qendrës së djathë i LDK-së dhe i 90% e popullit të Kosovës”, tha Geci.
Mishetiq pyeti dëshmitarin për një deklaratë të tij në të cilën ai kishte thënë se Rexhep Selimi në intervistën e tij i kishte përsëritur fjalët e Hashim Thaçit kur ka thënë se “Vrasja e komandantit Sandokan është një ndër vrasjet tradhtare që janë me personat e ngjashëm me historinë ku tradhtarët vrasin burra me emër”.
Dëshmitari tha se Thaçi të njëjtat fjalë i ka thënë në komunikatën 59.
“Thaçi i ka thënë në komunikatën 59. Këto fjalë i ka thanë në komunikatën 59. Këto fjalë të Rexhep Selimit, komandanti Selimi i ka demantu. E ka djalë të mixhës Rexhën. Ka thanë që ka gabu dhe nuk është ashtu se çka ka thanë edhe e falënderojmë komandant Selimin kur e ka thënë një të vërtetë. E ky i ka thanë fjalët e Hashimit dhe ka gabu që ka fol edhe e ka vërtetu që ka gabu kur ka thënë”, tha Geci.
Geci u pyet gjithashtu për deklaratën e Rexhep Selimit ku kishte thënë se Ganiu ishte përpjekur që ta vrasë edhe atë në të njëjtin vend ku ishte vrarë Abedin Rexha.
“Nuk besoj që është ajo e vërtetë, pyetni Ganiun kur të vjen”, u përgjigj Geci.
Geci: Komunikata 59 është shkruar nga Thaçi
Fadil Geci thotë se komunikata 59 e cila njolloste vëllezërit Geci, është shkruar nga Hashim Thaçi.
Këtë gjë, Geci e tha të martën gjatë dëshmisë së tij në Hagë, duke u përgjigjur në kundërpyetjet e mbrojtjes së Thaçit përmes avokatit Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“E kam ditë që Hashim Thaçi e ka shkru. Prej ditës të parë që e ka shkru, unë e kam ditë dhe i kam shku në shpi e i kam thanë ama përgjigjen për komunikatën 59. Ka thanë brenda ni muaji babai i tij që ta dha përgjigjen e kurrë s’ma ka dhanë përgjigjen”, tha Geci.
Arsyeja se pse s’e ka dhënë këtë përgjigje, sipas Gecit, është se Thaçi i ka dashur njerëzit e vdekur.
“Na jemi gjallë e ka mendu që edhe neve me na likuidu. Por, jemi këtu dhe na ka ruajt Zoti për me e thanë të vërtetën edhe me e shkru të vërtetën e jo rrenën. Vetëm të vërtetën e jo rrena”, tha Geci.
Avokati Mishetiq i tha dëshmitarit se në një rast Thaçi dhe Veseli kanë qenë ndërmjetësues në një mosmarrëveshje me Azem Sylën dhe Gani Gecin.
“Vëllai yt, Gani Geci e ka përdorur Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin si ndërmjetës për të ndërmjetësuar një mosmarrëveshje me Azem Sylën, kështu?”, tha Mishetiq.
Si rrjedhojë, dëshmitari tha se është e vërtetë që janë takuar. Krahas kësaj, avokati Mishetiq tha se kjo ka ndodhur më 2013 dhe se ata kishin pranuar që të akuzuarit të ishin ndërmjetësuese në mosmarrëveshjen që kishin me Azem Sylën.
“Është rregull e shqiptarit që kur nuk të pret i zoti i shpisë. I zoti i shpisë është vëllai i madh, Halili, unë jam i dyti jam, i treti Haxhia, i katërti, i pesti iu kom besu me folë me ta e jo unë. As në shpi timen kurrë nuk është pranu se e kam ditë çfarë është”, tha Geci.
Geci shtoi se takimi është bërë në Llaushë, jo në shtëpinë e tij, por të Jetullah Gecit i cili sipas tij është dajë i Adem Jasharit.
Mishetiq tutje pyeti dëshmitarin se a është e vërtetë që deri para këtij ndërmjetësimi nuk e kanë ditur se kush e shkroi komunikatën 59.
Dëshmitari insistoi sërish në përgjigjen e tij, duke thënë se e kanë ditur që prej ditës së parë dhe se e kanë pyetur të gjithë Shtabin.
“Azem Syla ka folë e ka thanë që unë e kam shkru. Azem Syla ka thënë që unë qëndroj mbas saj. Azem Syla ka thanë që unë qëndroj mbas saj. Pyetni se nuk e di a qëndron a nuk qëndron apo ka ndërru mendje edhe ai. Kur të vjen këtu pyetni, por publikisht ka thënë që unë qëndroj mbas kësaj, mbas një rrene”, tha Geci.
Edhe gjatë kohës së ndërmjetësimit, Geci tha se e kanë ditur që komunikata është shkruar nga vetë Thaçi.
“E kemi ditë, por kem dashtë me e ditë çka po thonë vetë se kanë folë rrena sa kanë mujt, kanë fol rrena e kanë kërku falje. Komunikatën e ka shkru Hashim Thaçi. A është e kjartë kjo tash? Këta është e kjartë për publik edhe për ty besoj se nuk ka nevojë më shumë se kush e ka shkru”, tha Geci.
Thaçi qeshet kur Geci flet për puthjen e dorës që pretendon se ia bëri ish-presidenti
Dëshmitari Fadil Geci u pyet sërish nga mbrojtësi i Hashim Thaçit, avokati Luka Mishetiq për një deklaratë që ai e kishte dhënë të hënën, e që kishte pretenduar se ky i fundi ia ka puthur dorën në një rast.
Por, teksa dëgjohej përgjigja e Gecit, në sallën e gjyqit Thaçi filloi të qeshte, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht, Mishetiq pyeti nëse puthja e dorës tregon respekt.
“Tregon krejt diçka tjetër. Është njeri i rrezikshëm se kur menon që është në rrezik, tana i ban dhe burri që ta puth dorën është katastrof për ata. Për shokë të vet edhe për shoqni është katastrof me i lanë diçka në dorë. Kjo është e vërteta”, tha Geci.
Tutje, avokati Mishetiq tha se për dëshmitarin kur dikush i puth dorën është shenjë e armiqësisë.
Lidhur me këtë, ndërhyri prokurori James Pace i cili tha se ‘nuk është kjo pyetja dhe mos e përshtatni sipas dëshirës”.
Pace kundërshtoi sërish kur pas këtij rasti, Mishetiq pyeti dëshmitarin Geci se a e merr si shenjë armiqësie puthjen e dorës. Megjithatë, gjykatësi Charles Smith urdhëroi dëshmitarin që të përgjigjet duke mos u pranuar kundërshtimi.
“Nuk kam pa kurrë në jetë asi rasti dhe kanë mendu që situata është aq e ashpër qysh kanë ba vetë dhe unë nuk kisha pa kurrë në jetë dhe nuk kisha pa kurrë as sot asi rasti. Kurrë s’ka ba vaki kush me ma puth dorën. Femrat me ma puth dorën ia kam mërzi e jo burrat”, tha Geci.
Geci shtoi se Thaçi e ka bërë një gjë të tillë duke menduar që është në rrezik dhe që t’i ikte rreziku. Sipas tij, ai kurrë s’iu ka përgjigjur më dhe kurrë nuk është deklaru për komunikatën 59.
Përpara kësaj, dëshmitari u pyet se a është e saktë që në deklaratën që ka dhënë si dëshmitar nuk identifikon asgjë që ka thënë Hashim Thaçi, gjë të keqe për të apo për familjen Geci.
“Çka ka më të keqe se me e shkru komunikatën 59. Çka ka me të keqe, çka ka më të rëndë?! Çka ka më vrastare?!
Tutje, Mishetiq tha se për procesverbal po e thekson që Hashim Thaçi e mohon që ka pasur të bëjë komunikatën 59.
“Gjithë thuj të mirë veç shkruaje komunikatën. S’ka burra si ti e ju ka pri ofensivës serbe. Punë ma të poshtër a ka diçka”, tha Geci.
Si u pajtua që Thaçi nuk ka thënë asgjë të keqe lidhur me familjen e tij, por që komunikatën 59 e ka shkruar po ai.
Mishetiq- Gecit: Po i shmangesh pyetjes dhe po i bën bisht përgjigjes.
Fadil Geci për Ramë Bujën: Më tha që ka hëngër plumb pse na ka mbrojtë neve
Dëshmitari Fadil Geci po vazhdon dëshminë edhe të martën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ku tha se kur ka biseduar me Ramë Bujën lidhur me komunikatën e 59-të, ai i ka thënë që ka marrë plumb pse i ka mbrojtur vëllezërit Geci.
“Më ka thanë që kemi bisedu në Shtab aty. Ai e di atë, por thotë që kam pas pasoja edhe unë pse kam folë për ju, bile më thotë se unë kam hangër plumb pse ju kam mbrojtë juve e ju keni pas të drejtë edhe ju mirë na e keni ba se keni pas të drejtë. Ju kam thanë mani e nuk më kanë ngu, le ta bajnë me shnet e le të mbajnë përgjegjësinë”, tha Geci, duke shuar se Ramë Buja personalisht ia ka thënë këto fjalë.
Ndërsa, për deklaratën lidhur me shkruesin e komunikatës 59-të, dëshmitari tha se i qëndron prapa, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Mesazhi është i qartë: ai shqiptar që na ka njoftë mirë kush jem na e e ka shkru komunikatën 59, mundet me kanë tulifar nacie tjetër, por jo shqiptar. Mundet me e kontrollu me thanë që jam shqiptar, po në zemër e në gjak nuk mundet me kanë shqiptar. Këtë e kam thënë dhe është e vërtetë”, tha Geci.
Dëshmitari Geci u pyet edhe për Sabit Gecin, të cilin për ZPS-në e kishte quajtur bashkëfshatar dhe se sipas tij kanë qenë së bashku me një klasë.
“Unë mund të gaboj, por Sabiti ka qenë në burg për një aksident në komunikacion e që është dalë prej burgu më 1997, është kyç”, u shpreh Geci.
Musli Gecin dhe Hetim Gecin, dëshmitari tha se i njeh shumë mirë dhe për këtë të fundit ai tha se është dajë i Adem Jasharit.
Më pas, dëshmitarit iu prezantuan disa fotografi të cilat mbanin numra për secilin që ishte aty e që iu kërkua identifikim nga ana e tij.
“I njoh. Disa 2-3. Numri 5 është Rexhep Selimi. Numër 3, Sylejman Selimi dhe numër 2, ‘Kapuçi’ një hero i Kosovës. Po më del prej menje por na me këtë nofkë e kemi njohur të gjithë, komandant Kapuçin”, tha dëshmitari për njërën nga fotografitë.
Ai tha se Komandant Kapuçi është vrarë duke luftuar me armikun, prandaj edhe është hero dhe sipas tij të gjallët është vështirë sipas tij të jenë heronj.
Më pas, dëshmitarit iu prezantua një fotografi e dytë, e që tha se në numër 3 ishte Rexhep Selimi, ndërsa sipas tij me numër 2 mundet të jetë Abedin Rexha.
Geci tha se nuk e di se ku është realizuar fotografia, por që Rexhep Selimi i cili është i pranishëm në sallë, mund ta dijë më mirë.
Edhe në një fotografi të tretë, Geci tha se është Rexhep Selimi e që mundet me qenë edhe Abedin Rexha, por që sipas tij nuk është i sigurt.
Ndërsa, në fotografinë e katërt, dëshmitari identifikoi dy vëllezërit Jashari (Sahit dhe Musë Jasharin), ndërsa për personat tjerë ai tha se nuk po i njeh.
Në prova materiale, u pranuan të gjitha fotografitë që iu prezantuan dëshmitarit.
Me kaq përfunduan pyetjet e Prokurorisë për këtë dëshmitar, për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ZPS ka dorzuar një parashtrim ku ka kërkuar që t’i ndryshojë listën e provave dhe të fus tri prova të tjera që do t’i përdorë me dëshmitarin 04758 dhe gjithashtu ftoi trupin gjykues që të përdorte një kalendar të përshpejtuar.
Mbrojtja e viktimave nuk pati kundërshtime lidhur me këtë. Ndërsa, avokati i Veselit, Rodney Dixon tha se ju duhet që ta shikojnë dokumentin në mënyrë që t’i paraqesin parashtrimet e tyre.
Gjyqtatri Smith urdhëroi që një gjë të tillë të bëhet pas pushimit të orës 11:00 dhe si rrjedhojë palët do t’i paraqesin parashtrimet e tyre.
Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020
Vazhdon procesi gjyqësor në rastin Thaçi dhe të tjerët
Sot vazhdon procesi gjyqësor në rastin Thaçi dhe të tjerët. Seanca është paraparë të nis nga ora 09:00 deri në 16:30.
Një ditë më parë në seancë publike, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Geci e ka nisur dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Geci ishte thirrur nga prokuroria që të jap informacione lidhur me autorësinë e asaj që njihet si komunikata 59-të si dhe për kërcënimet që ai pretendon se Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi i kanë bërë Tahir Zemajt.