Avokati i Popullit nis hetimet për rastin e të riut në Lipjan

 Avokati i Popullit ka  bërë të ditur  se ka nisur procedurat hetimore për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan të hënën.

“Ushtrimi i forcës përtej asaj të domosdoshme përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”, thuhet në njoftimin e Avokatit Popullit.

“Me këtë rast, Avokati i Popullit rikujton se policia ka për detyrë mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik, por gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për dinjitetin njerëzor. Çdo tejkalim i autorizimeve ligjore dhe çdo formë e dhunës apo keqtrajtimit janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me përgjegjësi të plotë. Avokati i Popullit ka hapur procedurë hetimore sipas detyrës zyrtare për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këto raste, si dhe për të monitoruar veprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës”, thuhet në reagim të IAP-së.

Avokati i Popullit ka kërkuar transparencë nga institucionet.

Agon Zejnullahu vdiq në orët e para të së hënës gjatë arrestimi nga policia. Sipas njoftimit të parë të policisë lidhur me rastin ai arrestua nga policia, për shkak të dyshimeve se po sulmonte automjete e kalimtarë.

Derisa familjarët  kanë thënë se Agon Zejnullahu ka vdekur për shkak të dhunës që policia ka ushtruar ndaj tij./21Media

Back to top button