Avokatja e Krasniqit: Shtrembërime, spekulime – këto s’janë prova


(Lajm i përditësuar)


Avokatja e Krasniqit: Shtrembërime, spekulime – këto s’janë prova

Mbrojtja e Jakup Krasniqit gjatë fjalës përmbyllëse tha se Prokuroria në mungesë të provave në mënyrë të dëshpëruar përpiqet të gjejë provat e saj ndaj Krasniqit.

“Zgjedhje selektive, spekulime, shtrembërime këto nuk janë prova. Janë shenja se si  përpiqet ZPS në mënyrë të dëshpëruar të gjejë provat e veta. Krasniqi ka qenë zëvendëskomandant pak kohë, vetëm për tre muaj dhe nuk e pranojmë aspak parashtrimet e ZPS-së se Jakup Krasniqi ka qenë i fokusuar në aspekte politike, ka vijuar punën e tij si zëdhënës dhe ka kryer detyra administrative. Ne mendojmë se prokuroria nuk ka asnjë provë lidhur me këtë“, theksoi ajo.

 

 

Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra  në vazhdim të paraqitjes së deklaratës përmbyllëse hodhi poshtë pretendimet e Prokurorisë se Krasniqit i është dhënë ndonjë raport inteligjence.

 

Sipas mbrojtjes së ish-kryekuvendarit Krasniqi, prokuroria preferon të fshihet pas supozimeve dhe spekulimeve për gjëra që nuk i provon dot.

“Nuk ka asnjë dëshmitar që ka dhënë raport zbulim- kundërzbulim për Krasniqin. Në qindra faqe bisede prokuroria nuk ka theksuar  asnjë bisedë ku pretendohet se një raport inteligjence i është dhënë Krasniqit. Për pasojë, pretendimi apo akuza e ZPS-së duhet të hidhet poshtë. Prokuroria ka pretenduar se Ferat Shala ka shoqëruar Jakup Krasniqin në zona. Edhe ky është një shembull i qartë i Prokurorisë që fshihet pas hamendësimit. Nëse Prokuroria pretendon se Shala i ka dhënë informacion zbulim-kundërzbulimi për krime zotit Krasniqi këtë duhet ta thotë troç. Por, meqë nuk ka prova të tilla, Prokuroria preferon që të fshihet pas supozimeve dhe spekulimeve për gjëra që nuk i provon dot. Prokuroria nuk e ka thirrur zotin Ferat Shala si dëshmitar, ndërkohë që në poshtëshënimin e saj, përfshihen tre referenca që e lidhin atë në zonën e Shalës në janar 1999. Ky rast e keqinterpreton insinuimin se Ferat Shala e ka shoqëruar Jakup Krasniqin në vizita. Kjo është tërësisht e pabazuar”, tha Alagendra.



Alagendra: Prokuroria mbyll sytë përpara provave që nuk i përshtatën narratives së saj

Venkateswari Alagendra tha se Prokuroria në mënyrë të vazhdueshme i ka mbyllur sutë përpara çdo prove që nuk i përshtatet narratives së saj në lidhje me Jakup Krasniqin.

“Një element i çuditshëm në dosjen e Prokurorisë është se në mënyrë të vazhdueshme i mbyll sytë përpara çdo prove që nuk i përshtatet narratives së saj”, tha Alagendra.

Ajo tha se Prokuroria nuk pranoi as ekzistencën e provave shfajësuese, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuroria as nuk e pranoi ekzistencën e provave shfajësuese e jo më vonë në këto parashtrime për peshën që duhet me iu dhënë atyre”, tha Alagendra.

Tutje, mbrojtja tha se një pjesë e madhe e dosjes së mbrojtjes e kundërshton teorinë e Prokurorisë dhe se kjo nuk është trajtuar aspak në dosjen e tyre.

“Një pjesë e madhe e dosjes së mbrojtjes e kundërshton teorinë e Prokurorisë dhe këto nuk trajtohen aspak në dosjen e tyre as për faktin që janë një tipar i rëndësishëm i mbrojtjes së Krasniqi gjatë gjithë gjykimit”, tha ajo.

 



Mbrojtja e Selimit: ZPS-ja s’ka arritur t’i vërtetojë pretendimet e veta

Mbrojtja e Rexhep Selimit ka nisur deklaratat përmbyllëse duke paralajmëruar se do t’i trajtojë tri tema, pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për rolin e Selimit si ministër i Rendit Publik, pretendimet për disa shkrime dore të pretenduara si të Selimit dhe për disa përjashtime që mbulon ZPS në dosje.

Avokati Eric Tully ka kundërshtuar pretendimin e ZPS-së se Selimi ka pasur kontroll mbi Policinë si ministër i Rendit Publik. Ai ka theksuar se “ZPS-ja nuk ka arritur t’i vërtetojë argumentet e veta”.

Termin “Policia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” Tully e ka quajtur tezë të Prokurorisë, të cilën tha se ajo e ka krijuar për të dhënë përshtypjen e gabuar se ekzistonte një lloj policie që drejtohej nga Selimi.

Ai shtoi se nuk ka pasur asnjë forcë policie të krijuar në prill 1999 dhe se nuk ka asnjë provë që vërtetojnë një pretendim të tillë të ZPS-së.

“Pas qershorit UÇK-ja dhe policia ushtarake e UÇK-së ka qenë nën përgjegjësinë e komandantëve të zonave, nuk ka qenë nën përgjegjësinë e Selimit. Nuk ka ekzistuar polici e tillë e UÇK-së, ose ministrisë së Rendit Publik, që është mbikëqyrur nga Selimi siç pretendon ZPS”, ka thënë Tully.

Duke thënë se Prokuroria nuk ka arritur t’i vërtetojë pretendimet e veta, ai shtoi edhe mospërputhjet në dosjen e Prokurorisë, për mënyrën se si i referohet Selimit: diku si person me kontroll operacional mbi policinë, ndërsa diku tjetër pretendon se ai kishte autoritet operacional mbi policinë, dhe që ai ishte i pozicionuar për të udhëzuar persona.

“Ekziston një mungesë e tërë e dokumenteve operative të dërguara nga Ministria e Rendit Publik në drejtim të policisë, ose e kundërta, gjë e cila nuk vërteton përfshirjen e zotit Selimi, apo që ai ka pasur kontroll mbi policinë. Prokuroria nuk ka dhënë prova për të vërtetuar që veprimet ose mosveprimet e Selimit si ministër i Rendit Publik kanë luajtur ndonjë rol në kryerjen e krimeve në aktakuzë dhe që ai është përgjegjësi për veprimet e personave tjerë lidhur me kryerjen e krimeve të pretenduara në aktakuzë”.


​Sot fjala përfundimtare e mbrojtjes së Rexhep Selimit, vijon ajo e Jakup Krasniqit

Mbrojtja e Rexhep Selimit do të vazhdojë deklaratën përmbyllëse edhe gjatë ditës së sotme.

Avokati Geoffrey Roberts dje tha se klienti i tij është i pafajshëm për të gjitha pikat në aktakuzë.

Ai tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka ofruar asnjë dëshmi se Selimi ka shkruar komunikata dhe nuk ka as bazë për t’ia atribuuar këto përgjegjësi të akuzuarve, raporton Kp.

Derisa foli për pretendimet e Prokurorisë për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, avokati tha se nuk ka ekzistuar një gjë e tillë.

Ai gjatë deklaratës përmbyllëse, të cilën e filloi ditën e djeshme tha se “nëse e pyet Prokurorinë se a ka qenë Adem Jashari pjesë e NPK-së nuk mund të përgjigjet”.

Paraqitja e deklaratave përmbyllëse nga ana e ekipit mbrojtës të Rexhep Selimit do të vazhdojë edhe sot, pastaj radha është e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.

Edhe ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të kenë mundësi të mërkurën që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues.

Sot është dita e pestë prej kur kanë nisur deklaratat përmbyllëse të palëve.

Kjo fazë ka nisur me parashtrimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ku kryeprokurorja Kimberly West ka kërkuar dënim me burgim nga 45 vjet për katërshen e UÇK-së.

Në Kuvendin e Kosovës mbrëmë është miratuar një rezolutë për gjykim të drejtë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës, prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Back to top button