Avokatja e Naim Murselit reagon për shtrimin e tij në Psikiatri: Nuk jam njoftuar zyrtarisht

Avokatja mbrojtëse e Naim Murselit, Teuta Zhinipotoku, ka reaguar pas raportimeve për shtrimin e klientit të saj në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku ai po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore pas urdhrit të gjykatës për vlerësim të gjendjes mendore.

Në një prononcim për portalin rtv21.tv, Zhinipotoku ka thënë se kjo është bërë në kuadër të një procedure ligjore të iniciuar nga vetë mbrojtja.

Ajo u shpreh se, ende nuk është zyrtarisht e njoftuar për zhvillimin e fundit.

“Nëse z. Naim Murseli është transferuar në Institutin e Psikiatrisë apo në Klinikën e Neurologjisë, kjo do të ketë ndodhur si rezultat i kërkesës së paraqitur nga mbrojtja për vlerësimin e gjendjes së tij mendore dhe vetëm me aprovimin e Gjykatës. Deri më tani, unë nuk jam zyrtarisht e njoftuar për një zhvillim të tillë, por çdo veprim i tillë do të duhej të ishte në kuadër të procedurës ligjore“, tha Zhinipotoku për portalin rtv21.tv

Ndërkohë drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Shpend HaxhiBeqiri, ka konfirmuar për KosovaPress se Murseli sot është dërguar në Klinikën e Neurologjisë për kryerjen e ekzaminimeve.

“Është rast i ndjeshëm, është me vendim të gjykatës, ne punojmë vetëm me letra të gjykatës, kur të kryhet raporti e merrni vesh… Ai është i shtruar (në Psikiatri). Ai ka me qenë i shtruar edhe javë të tjera, derisa të përfundojmë. Do t’ia bëjmë të gjitha analizat, specifikacionet… Nga klinika juaj sot ka shkuar në Neurologji apo? Po, për ekzaminime që i kemi shkencore, asgjë tjetër”, tha Haxhibeqiri. /21Media

Back to top button